Shtyhet seanca për pezullimin e Urdhrit të Mbrojtjes, të Klevisa Kajtazit

50
Klevisa Kajtazi, 15-vjeçarja nga Durrësi, e cila së bashku me motrën e saj Orialdën, u arratisën për rreth një muaj nga banesa, do të qëndrojë dhe një javë larg prindërve të saj. Shkak është bërë shtyrja e seancës gjyqësore, ku do të shqyrtohej kërkesa e paraqitur nga ana e adoleshentes për pezullimin e urdhrit të mbrojtjes të ngritur ndaj prindërve dhe motrës së saj të madhe. Mësohet se seanca gjyqësore është mbajtur rreth orës 13:00, por gjykatësja Eda Kaja, në mungesë të psikologes së gjykatës ka vendosur shtyrjen e gjyqit pas një jave.

15-vjeçarja, e cila po qëndron prej rreth dy muajsh në një qendër shërbimi social për gratë dhe fëmijët e dhunuar në Tiranë, me vullnetin e saj të lirë, por e bindur nga motra më e madhe, 18- vjeçarja Orialda, ka kërkuar të rikthehet në gjirin familjar. Në mungesë të psikologes, Klevisa është dërguar sërish në Tiranë, ndërsa ka kaluar pak çaste me nënën e saj, Anilën, në korridoret e gjykatës. Ishte hera e parë që pas 16 gushtit që Anila fliste me vajzën e saj të vogël. Po kështu, nën drejtimin e relatorit Fejzo Hysi ka nisur gjyqi ndaj dy motrave Kajtazi, të akuzuara për veprat penale “Vjedhje në bashkëpunim” dhe “Shkatërrim i pronës me zjarr”, pasi mbrëmjen e 15 korrikut ato dogjën banesën, morën kursimet dhe u arratisën.