Shtohen grabitjet e dhunshme në Tiranë, autorët mbeten anonimë

441
Sigal

TIRANË-Plagosja dhe grabitja e një kambisti para dy ditësh tek ‘Komuna e Parisit”, vjedhja e së paku 6 automjetesh në harkun e pak ditëve në të njëjtën zonë dhe grabitja një ditë më parë në një familje jo larg metropolit, ka shtuar ankthin dhe pasigurinë tek qytetarët. Ndërkohë, policia ka dërguar ekspertët në vendin e ngjarjes, ka bërë administrimin ligjor të tyre e ka konfirmuar “përpjekjen për kapjen e autorëve dhe dënimin e tyre”, por realisht, grabitësit mbeten të lirë. Përballë kësaj situate, banorët, jo vetëm shprehin indinjatën për deklaratat e krerëve të policisë për “sukses në luftën ndaj krimit” duke e cilësuar si shou mediatik, por akuzojnë dhe segment të policisë për pa aftësi apo lidhje direkt deri dhe me hajdutët ordiner. “E kemi jetën të pa sigurt, në rrugë e në shtëpi. Vetëm në lagjen tonë, në pak dit, më pak se dy javë, kanë ndodhur disa vjedhje. Janë vjedhur makina, janë vjedhur shtëpi (ditën dhe natën), është masakruar kambisti, por nuk mësojmë të jetë kapur asnjë nga autorët. Në lagjen tonë, banon dhe ministri Saimir Tahiri, e disa vjedhje janë bërë jo larg shtëpisë së tij. Agjentë të kriminales mendoj se, janë lidhur me këta hajdutë, se nuk ka si shpjegohet ndryshe. Se po të dojë policia, i gjen dhe i ndalon ata. E them këtë, së paku për disa vjedhje tek ne, ku vjedhjet janë bërë në mjedise, ku ka shumë kamera filmike 24-orëshe. Si ka mundësi që të mos identifikohen hajdutët, se ata janë të filmuar!?. Apo ata që përgjigjen për kapjen e tyre, bëjnë pazare për përfitime. Ne duam siguri jete, duam që policia që ne paguajmë, të bëj punën e drejtuesit e saj të lenë fjalët e të luftojnë krimin që po na terrorizon”,- pohon 61- vjeçari S. Kalaj, banor te “Komuna e Parisit”.