( Nga cikli, Rezervat e Shtetit, Irfani dhe gjyqtarja Bajo-Vlora )

Abuzimet  e  miliarda lekëve të taksapaguesve shqiptarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit me Drejtor Irfan Dashi, (kryetar i PS në Kombinat, ish-kryetar i minibashkisë, Kombinat dhe taksambledhës i Fondacionit famëkeq  “Populli” që shkaktoi trazirat e  ’97-s dhe veshi Shqipërinë me të zeza), po tentohen të mbyllen nga gjykata e Tiranës me gjyqtare Enkela Bajo-Vlora. Nëse denoncimi do ishte anonim, apo i dyshimtë kjo edhe mundet të justifikohej nga gjyqtarja Enkela Bajo, por kur ky denoncim me fakte dhe argument vjen nga KLSH-ja organi më i besuar për BE-në dhe SHBA-të , atëherë gjërat janë më shumë se serioze dhe, se hijet e dyshimit duhet të jenë pjesë e organeve të komisionit të vettingut. “Telegraf” ka paralajmëruar këto abuzime dhe ka deklaruar,  se dosjen e plotë  për Enkela Bajo-Vlora do e dërgojë pranë organeve të Vettingut dhe po mendon denoncimet përkatëse, si për abuzuesin edhe shpërdorimin e detyrës nga mbrojtësi. Një gjë të jetë e qartë për këdo abuzues se drejtësi do triumfojë dhe cilitdo person që është futur në “pazare” të pista do marrë ndëshkimin e merituar.  Sot po publikojmë pjesë të tjera mbi abuzimet në Rezervat e Shtetit  ku drejton Irfan Dashi, në mënyrë që qytetarët dhe drejtuesit e lartë të administratës të shikojnë abuzimet  e parave nga vartësit e tyre. Por më shumë, këto skandale vlejnë dhe duhet t’i lexojë me kujdes dhe me mend në kokë gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (këtu e në vazhdim KLSH), auditoi në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervës Materiale të Shtetit (DPRMSH), duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me zbatimin e programit financiar dhe të dispozitave ligjore për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e financiare; dokumentimin dhe administrimin e mallrave rezervë materiale shtetërore, me organizimin e mbajtjen e kontabilitetit, me ligjshmërinë e planifikimit dhe realizimit të ardhurave, me zbatimin e rregullave të prokurimit e zbatimit të kontratave për punimet, shërbimet e mallrat,  me zbatimin e rregullave të ankandit etj. Në mënyrë të përmbledhur gjetjet më të rëndësishme paraqiten si  mëposhtë:

01

Shitja e makinave të sekuestruara

Nga auditimi konstatohet se për periudhën objekt auditimi, Autoriteti Shitës  ka zhvilluar  disa ankande me objekt “Shitjen e automjeteve për qarkullim”, përcaktimi i vlerës së tyre për t’u shitur në ankand është bërë duke u bazuar në udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme  nr. 75, datë 13.03.2014 “Për procedurat që ndiqen për administrimin e automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në rezervat materiale të shtetit si pasojë e konfiskimit, duke zbritur 50% si koeficient të amortizimit, për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo mënyrë llogaritje nuk  ka lidhje me VKM nr.1242, datë 16.12.2009 “Për rregullat e funksionimit të komisionit të ankandit dhe procedurat e zhvillimit të ankandit…”, i cili ka dalë në zbatim të ligjit nr.10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publik dhe nëpunësit civil” i ndryshuar. Ky vendim ka për objekt administrimin dhe  shitjen e mjeteve që dalin tepër, mbas miratimit të listës së mjeteve që mbeten në pronësi të institucioneve dhe që do të shiten me ankand, funksionarëve publikë ose nëpunësve civilë të administratës, pjesë e institucionit. Përdorimi i kësaj reference (udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme  nr. 75, datë 13.03.2014) në 2 ankande të zhvilluara me objekt  “Shitjen e 88 mjeteve për qarkullim dhe 22 motoçikletave” me fond limit 12,580,000 lekë, nga 25,160,000 lekë që është vlera e tyre reale, ka ulur padrejtësisht  vlerën për më pak 50 %, duke sjellë si pasojë të ardhura të munguara për Buxhetin e Shtetit në shumën prej 12,580,000 lekë

02

Shitja e mjeteve  për skrap”.

Nga auditimi konstatohet se,  ankandet e zhvilluara me objekt  shitje mjete për qarkullim, pas çdo dështimi, procedurat kanë rifilluar dhe rishpallur përsëri me të njëjtin vlerë deri në ndryshimin e gjendjes së tyre fizike  dhe klasifikimin “shitje mjete për skrap”.

Në të gjitha rastet e dështimit të ankandeve me objekt “shitjen e mjeteve” për qarkullim,  (Autoriteti Shitës), mjetet e klasifikuara për qarkullim nuk janë klasifikuar  sipas  kërkesave të pikës 6/c, ç të VKM-së nr. 1719, datë 17.12.2008 “Për miratimin e rregullave të ankandit publik” i ndryshuar, në të cilin përcaktohet se: “Kur për objekte të shpallur dy herë për shitje, sipas procedurave të këtij vendimi, nuk paraqitet asnjë ofertë për blerjen e tyre, autoriteti shitës cakton një VAM tjetër më të ulët se VAM-i fillestar. Ulja e VAM-it bëhet 20%. …Në rast se edhe pas kësaj uljeje, nuk paraqitet asnjë ofertë për blerje, VAM-i ulet deri në 20% nga VAM-i i fundit, për çdo shpallje deri sa vlera të arrijë 30% të VAM-it fillestar të ankandit”. Ky mosveprim, është në kundërshtim me bazën e mësipërme ligjore, ku mjete të rregullta për qarkullim, të denatyrohen dhe klasifikohen për skrap dhe të shiten nën vlerën reale të tyre, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme të munguara për Buxhetin e Shtetit.

03

Shitje skrapi, cigare e mallra të tjera

Nga auditimi i ankandeve me objekt shitje skrapi, cigare e mallra të tjera konstatohet se, në 4 ankande të zhvilluara me vlerë prej 43,668,150 lekë ka marrë pjesë vetëm një ofertues.  Në këto ankande nuk rezulton të jetë propozuar hapi i parë për rritjen e vlerës së deklaruar në ankand  minimalisht në masën 2 % të vlerës së ofertës,  që në rast se është edhe një ofertues i vetëm  duhet të propozohet hapi i parë i ankandit. Si rrjedhojë e mos respektimit të kësaj kërkese, të ardhurat të munguara në buxhetin e shtetit llogariten në shumën prej 873,363 lekë, më hollësisht është trajtuar në faqen nr. 47-63 të Raportit Përfundimtar të Auditimit, më hollësisht është trajtuar në faqen nr. 37-76 të Raportit Përfundimtar të Auditimit. (vijon nesër)