Shteti dhe Lazarati, luftë mes policisë e të “fortëve” të drogës

659
Sigal

Mbi 500 forca policie të FNSH përballë një grupi të armatosur, 24 orë luftë me armë. Ndërkombëtarët mbështesin policinë

Mbi 500 forca policie, speciale, të përforcuar me mjete e logjistike, prej gati 24 orësh mbajnë të rrethuar Lazaratin, që njihet si “Kryeqyteti i drogës”. Ndërkohë, ende mbetet e paqartë nëse ky operacion nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit ishte i mirë organizuar, apo spontan për shkaqe që ende nuk mund të mësohen. Kanë reaguar Kryeministri Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, një deputet i opozitës si dhe Komisioneri i KE Stefan Fyle, që ka përshëndetur operacionin antidrogë të policisë. Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në FB, shprehu habinë ‘pse nuk reagon e mbështet PD operacionin e policisë!?”. Ndërkohë, në përballjen me armë, përfshi dhe ato të kalibrit të rëndë, shteti përballet me një grup personash të armatosur, që zyrtarisht thuhet se nuk i kalon të 30 vetë. Ja kronologjia e operacionit:

Ora 08:30. Në operacion janë forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër të mbështetura dhe nga Forcat Speciale RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Mbi 500 forca policie ndodhen në hyrjen dhe daljen e Lazaratit. Policia ndodhet në fshatin Kordhocë, që është hyrja e Lazaratit si dhe në fshatin Dervican që  lazaratasit e përdorin për të shkuar në Sarandë dhe në Kakavijë.

Ora 09:30. Policia informon është e vendosur ta vijojë operacionin: “Do të shpëtojmë edhe Lazaratin nga ky grup personash”, thuhet në njoftimin e shkurtër të policisë. Mortajat antitank, nga banesa e njeriut që qëlloi helikopterin në 2004. Policia e Shtetit informon se, grupi i zjarrit ndodhet në banesën e Gate Mahmutaj, pasi policia kishte shkuar për të asgjësuar parcelën pranë banesës së tij në periferi të Lazaratit. “Të shtënat vijnë nga banesa e  Gate Mahmutaj, person me precedentё kriminalё, i arrestuar nga forcat RENEA, i dënuar me vendim gjykate dhe i falur më pas nga Presidenti i Republikës”, saktëson njoftimi. Gate Mahmutaj, nuk është emër i panjohur për policinë shqiptare. Emri i vërtetë i të cilit është Razip Mahmutaj mendohet se, është personi, i cili në 2004-n qëlloi në drejtim të helikopterit që kishte shkuar për të identifikuar parcelat me kanabis.

Forcat RENEA e FNSH rrethojnë Lazaratin. 500 forca

Ora 10:20. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit informon se ka vënë në gatishmëri gjithë strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat do të vihen në lëvizje në varësi të situatës. Aktualisht në terren janë rreth 500 forca policore, të cilët kanë bërë rrethimin e zonës.  Policia e Shtetit është e vendosur për realizimin e misionit të saj, si dhe për të “çliruar” dhe popullin e Lazaratit nga ky grup personash kriminal.

Ora 12:00. Burime nga Policia bëjnë të ditur se kreu i komunës Lazarat, Dasho Aliko po negocion për dorëzimin e grupit që drejtohet Gate Mahmutaj. Nëse grupi i drejtuar nga Razip Mahmutaj nuk vetëdorëzohet, policia do të ndërhyjë në banesën e tij.

Ora 12:29. Policia identifikon grupin e zjarrit, ja emrat

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur identifikimin e personave që së bashku me Gate Mahmutaj kanë kundërshtuar me armë policinë.

Ora 12:40: Ndërsa kryetari i bashkisë së Lazaratit Dasho Aliko po jepte një lidhje telefonike në me një stacion televiziv, dëgjohen në sfond të shtëna armësh. Aliko deklaroi se po negocionte me Razip Mahmutaj të dorëzohej.

Ora 12:41. Policia konfirmon ndërhyrjen. Forcat e policisë kanë mbërritur në objektivin e përcaktuar në kapanonët e objektet e personit Gate Mahmutaj në periferi të Lazaratit. Objekti është nën kontroll dhe vijon puna për kapjen e personave. Aliko po negocion  me Mahmutaj

Ora 12: 50. Tre persona, të cilët u akuzuan nga policia se ishin pjesë e grupit të zjarrit të indinjuar flasin në medie. Ata thonë se nuk kanë lidhje fare me grupin kriminal.

Ora 13: 58. Disa minuta pasi policia vazhdon operacionin në Lazarat, ministri i Brendshëm ka apeluar popullin e Lazaratit të distancohet nga kriminelët.

Ora 14: 58. Policia rrethon Lazaratin. I bëhen akuza Alikos se ndihmoi kriminelët të ikin. Përmes një deklarate për shtyp Policia e Shtetit akuzon Alikon se u ka dhënë mundësi grupit kriminal të ikin nga rrethimi i policisë. Si dhe deklaron se personat që pretendojnë që nuk kanë qenë të pranishëm në sulmin me armë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të paraqiten në Komisariatin më të afërt në vendet, ku ato ndodhen.

Ora 15:00. Informon se mbetet e rëndë dhe mjaft e tensionuar situata në Lazarat, ku po haset në rezistencë për ndërmarrjen e operacionit për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me kanabis-sativa. Ministria e Brendshme i bëri thirrje banorëve të fshatit Lazarat të distancohen nga elementet kriminale që janë duke u konfrontuar me armë me policinë dhe të evitojnë daljen nga banesat e tyre.

Ora 16:00. Informohet se forcat RENEA e FNSH kanë përparuar drejt Lazaratit dhe po kryejnë kontrollin në disa banesa e kapanone në periferi të Lazaratit dhe po punohet për të hyrë më thellë në fshat.

MEDIET NDËRKOMBËTARE

Një nga gazetat e njohura botërore “Washington Post” ka shkruar për operacionin që ka ndërmarrë Policia e Shtetit në Lazarat. Ajo raporton se, një bandë ka qëlluar me granata, mortajë dhe armë zjarri mbi qindra policë që po përpiqeshin të hynin në fshatin në jug të Shqipërisë, ku nuk zbatohet ligji, në tentativë për të ndalur kultivimin e marijuanës. Policia thotë se, nuk ka të lënduar. “Në Lazarat besohet se, kultivohen çdo vit 900 ton kanabis, që pak një vlerë prej 4.5 miliardë euro ose 6.1 milionë dollarë, që është afërsisht sa gjysma e GDP-së së vendit të vogël në Ballkan”,-shkruan më tej kjo gazetë. Në operacion kanë marrë pjesë 500 policë me armatim të lehtë, përfshirë dhe forcat speciale, të cilët kanë rrethuar fshatin prej mesnatës. Policia thotë se, do të vazhdojnë masat për “çlirimin e Lazaratit nga kriminelët”.

 

 LISTA E TË KONFLIKTUARVE

ME ARMË ME POLICINË

1. Albion Aliko

2. Alban Aliko

3. Jurgen Boci

4. Jeton Kalemi

5. Abaz Rabi

6. Emiljan Aliko

7. Matjaz Boci

8. Ali Basha

9. Adem Sala

10. Shkelqim Krishti

11. Artur Gjini

12. Sherif Kazma

13. Sokol Skendi

14. Florijan Shurdhi

15. Sevdi Shurdhi

16. Martin Muho

17. Adriatik Gaba

18. Carcan Gaba

19. Haki Buci

20. Hamza Buci

21. Agim Avduli

22. Syrja Sinani

23. Izmir Hebovija (Shkodrani)

24. Kostandin Xhuvani

25. Erjon Haxhiaj

26. Arsen Banaj

Fyle: Vendosmëri në luftën kundër drogës edhe krimit!

 Bashkimi Europian mirëpret operacionin e policisë, kundër kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Kjo u publikua dje nga Stefan Fyle, Komisioner i Këshillit të Europës. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twiter”, eurokomisioneri Stefan Fyle thekson se operacioni kundër plantacioneve me kanabis tregon vendosmërinë në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar.

 

 PD, Strazimiri: Dyshoj mos është “superaksion” kokaine

 Nga PD ka reaguar në FB dje deputeti Gent Strazimiri. “Epo dhe ky ‘superoperacioni’ në mes të ditës në Lazarat me kamera, gazetarë, me ‘skenografi afgane’ dhe me statuse kryeministrore në FB për punë ‘bari’, në një kohë kur kokaina ‘pale’ ku bredh me kalë”…avionë a anije, madje me tonelata ..?! Se ç’kam një frikë se po bëjnë ndonjë ‘superaksion’ kokaine ndërkohë…si ai në Divjakë…”, -shkruan ai.