Shqiptari i vrarë në Greqi, pronar i 3 lokaleve luksoze! Njihej si “tenxherja”

568
Hetuesit grekë janë të bindur se 39-vjeçari Roland Shëmbitrasi është ekzekutuar për trafikun e kokainës në lokalet e natës në Athinë.
Roni, ashtu siç i flisnin miqtë, ishte bashkëpronar i lokalit të natës “Roy Bar” në lagjen “Glyfada” në kryeqytetin grek, pikërisht ku dhe u ekzekutua.
Megjithëse autorët janë ende të paidentifikuar, Shëmbitrasi duket se i ka njohur atentatorët e tij. Dëshmitarë që ndodheshin në ambientet e jashtme të lokalit, i kanë thënë policisë se mes viktimës dhe dy vrasësve pati një bisedë.
Hetuesit grekë deri tani kanë mbledhur dëshmi dhe prova të vlefshme për hetimin, përfshirë këtu edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Biseda para vrasjes
Rreth orës 04:40 të mëngjesit të së dielës, dy autorët u shfaqën në lokal dhe shkuan direkt tek tavolina ku po qëndronte 39-vjeçari shqiptar me miqtë e tij. Njëri prej tyre ju drejtua Shëmbitrasit me ton të lartë: “Mua do ma hedhësh”?
39-vjeçari iu përgjigj ashpër: “Ik mos të të fus ndonjë”!
Në këtë moment, dy atentatorët nxorrën armët dhe qëlluan me tre plumba Roland Shëmbitrasin duke e lënë të vdekur. Ndërsa mbetën të plagosur shqiptari tjetër Gjergji Kapaj që ishte në tavolinë dhe dy grekë, klientë të lokalit.
Policia greke dyshon se shqiptari është ekzekutuar pasi kishte marrë një sasi droge dhe nuk kishte paguar furnizuesit e tij.
“Tenxherja”
Në qarqet e drogës, apo “mafia shqiptare” në Athinë sikurse i quan shtypi grek, Roland Shëmbitrasi njihej me nofkën “tenxherja”. Ai është bashkëpronar edhe i tre lokaleve të tjera, dy prej të cilave janë luksoze dhe ndodhen në lagjen “Kalithea” të Athinës. Në këto lokale nate shkojnë rregullisht këngëtarë të njohur grekë. Në vitin 2012, Shëmbitrasi ishte arrestuar nga policia pasi kishte punësuar një ekip prej 10 personash që shpërndanin kokainë me motora tek klientët VIP të 39-vjeçarit.
Ai ka marrë nofkën “tenxherja” për shkak se njihej për përpunimin që i bënte kokainës. Në fund, ai nxirrte një produkt të pastër për klientët e tij. Për këtë arsye, Roland Shëmbitrasi ishte edhe trafikanti më i shtrenjtë në Athinë, pasi 1 gram kokainë e shiste për 100 Euro. Ai kishte një klientelë të qëndrueshme. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin botës së “showbiz” në Athinë dhe janë emra mjaft të njohur. Përveç se janë konsumatorë, shumë prej tyre performojnë në lokalet e natës ku ishte bashkëpronar edhe Shëmbitrasi
Sigal