Shqiptari i jep fund jetës në burgun grek

747
Një shtetas shqiptar 53-vjeçar ka zgjedhur t’i japë fund jetës së tij, në një rajon policor në qytezën Kisamo të Kretës. Sipas policisë lokale, 53-vjeçari u gjet prej policëve në qelinë ku mbahej për t’u deportuar drejt Shqipërisë, pasi nuk kishte leje qëndrimi në Greqi. Nga sa mësohet, 53-vjeçari i identifikuar si Sami Karoshi nga Peshkopia dhe banues në Tiranë, u vetëvar me një batanije të lidhur në kangjellat e birucës. Policët që e gjetën thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00-03:00 të mëngjesit të djeshëm, kohë gjatë së cilës ishin kryer kontrollet në qelitë ku mbahen të ndaluarit në këtë rajon. Ai u dërgua në spital, por mjekët thanë se nuk mund të bënin asgjë për ta shpëtuar. Trupi i tij u dërgua në Morgun e Spitalit të Haniasë për ekzaminim mjekoligjor, për të saktësuar shkaqet e vdekjes. Prej ekzaminimit të parë nuk rezulton se ndaj tij të jetë ushtruar dhunë fizike. Mësohet se viktima Sami Karoshi mbahej prej 6 ditësh në rajonin e Kisamos në ishullin e Kretës.
Sigal