Shqiptari hodhi gruan nga kati i nëntë, nis gjyqi në Milano

521
Një shqiptar doli përpara gjyqit në Milano të Italisë nën akuzën e hedhjes nga kati i nëntë i bashkëshortes së tij. Megjithatë, do të jetë gjykata ajo që do të përcaktojë nëse gruaja është hedhur vet apo nga shqiptari. Organet e hetimit kanë akuzuar 32 vjeçarin Zef Lleshi për rastin. Ky person, akuzohet se më 1 korrik të vitit 2013, hodhi gruan nga ballkoni pas një grindjeje. Viktima është Silvana Hyseni. Sipas hetimeve të prokurorit, janë vërejtur shenja në vendin e ngjarjes që tregojnë se gruaja nuk është vetë hedhur.
Gruaja u gjet në një hapësirë ndarëse mes kateve, çka ngre dyshime të forta se synimi nuk ishte vetëvrasja. Gjithashtu, janë vënë re në gjymtyrët e gruas përpjekjet për t’u kapur në mënyrë që të mos binte. Në banesë u gjet një gotë e thyer dhe një vazo lulesh e dëmtuar. Shqiptari po gjykohet në gjendje të lirë, ndërsa punon në Suedi. Sipas mediave italiane, ai është rikthyer në Itali për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, teksa i ka mohuar në vijimësi akuzat.
Avokati mbrojtës thotë se trajektorja e rënies është në përputhje me atë të vetëvrasjes. Nëna e viktimës ka rrëfyer në gjykatë se vajza kishte lënën punën në Toskana, ndërsa kishte shkuar tek bashkëshorti i saj në Cologno Monzese. Më pas, ajo ishte kthyer në prostitutë për shkak se Zefi nuk punonte. Sipas dëshmisë, shqiptari kishte gjetur një grua tjetër në Shqipëri dhe vajza e saj ishte bërë xheloze, çka shqiptari e ka keqtrajtuar. “Një herë, përpara meje, ai i vuri duart në fyt”, tha gruaja e quajtur Lana. Procesi po vijon me dëshmitarët e tjerë.
Sigal