Shqiptarët të dyshuar për vrasjen e avokatit grek, tre të burgosur merren në pyetje

493
Policia greke ka dyshime se pas vrasjes në mes të Athinës së avokatit Mixalis Zafeiropoulos më 12 Tetor, fshihen shqiptarë me precedentë penalë.

Mëngjesin e djeshëm, tre shqiptarë janë transferuar nga burgu i Koridhalos në selinë qëndrore të policisë në Athinë për t’u marrë në pyetje dhe për të dhënë shpjegime mbi disa dyshime të policisë. Ata kanë qenë më herët të përfshirë në një tentativë vrasje ndaj një tjetër avokati grek të quajtur George Antonopoulos.

Mediat greke shkruajnë sot se njëri nga tre shqiptarët e dënuar mbi të cilin ka më shumë dyshime është Aris Floros, i cili është akuzuar si një nga nxitësit në tentativën e vrasjes së avokatit Antonopoulos. Ai po vuan një dënim me 21 vite burg. Hetuesit grekë kanë informacion se tre shqiptarët që po merren në pyetje janë përgjuar duke biseduar me palë të treta që janë të përfshirë në hetimet që po zhvillohen për vrasjen e avokatit Mixalis Zafeiropoulos, shkruan tvklan.al. Policia ka dyshime se të burgosurit shqiptarë mund të kenë dijeni për personat që fshihen pas vrasjes së avokatit të njohur.

Nga hetimet e deritanishme mendohet se vrasësi ka dashur të trembë avokatin dhe t’i përcjellë një mesazh, por debati ka degraduar dhe e më pas e qëlloi për vdekje. Autoritetet greke argumentojnë që nëse të dyshuarit do të kishin për synim të vrisnin avokatin, do të kishin vepruar në mënyrë më të kujdesshme dhe nuk do ta kryenin “punën” në zyrën e tij që ndodhet në qendër të kryeqytetit grek. Aq më tepër, nuk do të linin prapa prova materiale, të tilla si material gjenetik dhe shenjat e gishtërinjve. Ekzaminimet për shenjat e gishtërinjve janë ende në proces verifikimi nga policia, ndërsa për momentin nuk ka një identitet konkret rreth dy autorëve të dyshuar, që qëlluan për vdekje avokatin Mixalis Zafeiropoulos më 12 Tetor në Athinë.
Sigal