Shqipëria, ‘strehë’ e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar

459
Sigal

Identifikohen shumë raste të kalimeve fiktive në sistemin TIMS; dyshohet për qarkullim terroristësh me mbështetje të policisë.

Një ditë më parë një inspektor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës u vu në prangat e policisë, pasi kryente veprime fiktive në sistemin kompjuterik kundrejt pagesës 150-300 euro, ndërkohë partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar pasi Shqipëria vazhdon të mbetet ‘strehë’ ku fshihen terroristë të shpallur në kërkim Ndërkombëtar nga Interpoli. Rasti i policit kufitar që konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Rendit, se ‘ka kryer shumë herë veprime të tilla’ ndërkohë, por nuk mësohet nëse mes favoritëve të lëvizjes fiktive ka terroristë vendas, të huaj, apo persona në kërkim nga shtete të ndryshme. Referuar statistikave zyrtare të publikuara nga OKB, INTERPOLI apo agjenci të specializuara të shteteve mike, në disa raste, terroristët apo grupe terroriste e kanë përdorur Shqipërinë jo vetëm si vendstrehim, por dhe për krijimin e celulave terroriste me përbërje shtetas vendas. Në disa nga këto raste, përflitet të jenë implikuar direkt apo indirekt dhe funksionarë të piramidës policore e zyrtarë të lartë në vend. Janë me dhjetëra raste të publikuara zyrtarisht, ku persona të shumtë me aktivitet terrorist janë strehuar,  arrestuar, apo kanë pasur në Shqipëri biznese të fuqishme për burime fitimi për mbështetjen e organizatave terroriste. Përveç detyrave për arkëtime të faturave të Elektrikut, shoqërime apo arrestimeve të debitorëve apo atyre që abuzojnë me energjinë elektrike, është emergjente që policia, deri tek titullari i vendit, të merren më mirë me probleme të mirëfillta që cenojnë sigurinë e vendit apo dhe të aleatëve.

ARRESTIMI I POLICIT

“Një punonjës i policisë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, një ditë më parë është vënë në pranga nga policia. Fatjon Kodra është arrestuar në flagrancë nga SHKB, pasi akuzohet për falsifikim kompjuterik. Nga hetimet e prokurorisë së Korçës në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, doli se Kodra, kryente veprime fiktive në sistemin kompjuterik TIMS për persona të ndryshëm kundrejt pagesës nga 150-300 euro. Sipas hetimeve, ky punonjës policie regjistronte në mënyrë fiktive hyrje-dalje të personave të ndryshëm nga kufiri, i bënte për efekt të afateve të qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se numri i personave që janë regjistruar fiktivisht nga i dyshuari  Kodra është i madh”

DISA NGA RASTET

9 SHTATOR 2010

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rifreskuar informacionet dhe listën e personave të shpallur si bashkëpunëtorë të organizatës terroriste Al-Qaida. Në total janë 180 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilët paraqesin rrezikshmëri të lartë për paqen dhe sigurinë në botë. Në fillim të muajit shtator 2010, OKB publikoi listën e 180 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mes tyre, 15 vetë, rezultojnë të kenë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri nga fillimi i viteve ‘90 e deri në 2004.
Yasin Abdullah Ezzedine Qadi
Themelues dhe administrator i besuar i Muwafaq Foundation. Ky fondacion ka vepruar historikisht nën ombrellën e Makhtab al-Khidamat, organizatës së themeluar nga Osama Bin Laden. Muëafaq Foundation ka qenë e përfshirë në sigurimin e mbështetjes financiare për aktivitetet terroriste. OKB sqaron se: “në vitin 1995, ky fondacion ka organizuar trafikun e armëve nga Shqipëria në Bosnjë-Hercegovinë…Qadi ka pasur në pronësi disa firma private në Shqipëri…Bin Ladeni vuri si kusht që numri i kompanive të Qadit në Shqipëri të shkonte në pesë”, citojmë nga informacioni zyrtar i OKB-së.
Abdul Latif Saleh
Ai është lidhur ngushtësisht me Osama Bin Laden duke arritur madje të fitojë shtetësinë shqiptare nëpërmjet një dekreti të posaçëm të ish Presidentit, Sali Berisha. OKB sqaron se ai ka themeluar në Shqipëri një organizatë shqiptare që financonte Al-Haramain. Bëhet e ditur se “Misioni i tij ishte të destabilizonte Shqipërinë nëpërmjet nxitjes së konflikteve fetare. Al-Haramain arriti të rekrutonte anëtare nga kjo organizatë shqiptare. Ai u dëbua nga Shqipëria për sponsorizimin e aktiviteteve ekstremiste…Saleh ka qenë administrator i përgjithshëm i të gjitha bizneseve të Qadit në Shqipëri dhe ishte aksioner i dhjetë për qind të investimeve të Grupit Qadi në Shqipëri”-sqaron OKB.
Grupi me 9 terroristë
Adb Al Wahab Abd Al Hafiz; Abderrahmane Kifane; Ali El-Heit; Fethi Ben Hassen Ben Salem Al-Haddad; Farid Aider; Abdelhadi Ben Debka; Moustafa Abbes; Othman Deramchi; Yacine Ahmed Nacer si edhe Youcef Abbes janë anëtarë të rëndësishëm të Al-Qaida. Ata kanë qenë pjesë të një organizate terroriste që operonte në Itali, e përfshirë direkt në aktivitete kriminale. Detyra e tyre ishte të koordinonin veprimtaritë e disa grupeve të ngjashme terroriste që vepronin në vendet e Europës, mes të cilave edhe në Shqipëri. Ata kanë ndihmuar emigrantët ilegalë të hynin në Itali duke i bërë ata direkt, si pjesë e aktivitetet ilegale të organizatave terroriste…
Safet Ekrem Durguti
Drejtues i Al-Haramain Islamic Foundation, që siguronte dhe ndihmonte financiarisht dhe materialisht organizatat terroriste në drejtimin e Osama Bin Laden, konkretisht rrjetet e Al-Qaida, përfshirë Jemaah Islamiyah, Al-Itihadd al-Islmaiya, Egyptian Islamic Jihad dhe Lashkar-e-Tayyiba. Durguti ka qenë një ndër mbështetësit kryesore të Bin Laden, i cili arriti të hapte një filial të Al-Haramain Islamic Foundation edhe në Shqipëri.
Al-Haramain Islamic Foundation
Aqeel Abdulaziz Aqeel Al-Aqeel dhe Suliman Hamd Suleiman Al-Buthe janë themelues dhe lidera të Al-Haramain Islamic Foundation, organizatës përgjegjëse për mbështetjen e akteve terroriste. “Së bashku me Safet Ekrem Durgutin, ata arritën të hapin një filial të Al-Haramain Islamik Foundation edhe në Shqipëri”, sqaron OKB.

17 NENTOR 2013

Në korrik 2012 arrestohet në Shqipëri Vincenzo Mango. Ai, 13 vjet më parë, mori pjesë në një atentat për llogari të Kamorrës e pastaj iku në Shqipëri, ku kishte nisur një jetë të re si një marangoz. 45-vjeçari Vincenzo Mango, u ekstradua në Itali më 17 nëntor 2013

28 DHJETOR 2013

Arrestohet në Ankara biznesmenin saudit Jasin al-Kadri për klrijimin e një organizate kriminale. Kadi ka disa prona në Shqipëri, të sekuestruara pas përfshirjes nga SHBA  në ‘listën e zezë’ të terrorizmit. Kadi ka investuar në Kullat Binjake në Tiranë”.

E DIEL 30 NËNTOR 2014

Egjiptiani Elsayed Aly Ahmed, 56 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Kajros me 25 vite burg për terrorizëm, kapet në Shqipëri. U fut nga Greqia ku kishte qëndruar disa kohë.