Shqipëria, “lavatriçe” për pastrimin e parave të kokainës

510
Sigal

Çesar Triana: Do merrja 1 milion euro. Pas ardhjes së heroinës, do njoftoja një në Spanjë

Kolumbiani i arrestuar disa ditë më parë në Rinas ndërron qëndrim dhe pranon përfshirjen në trafikun e kokainës të bllokuar në Mal të Zi, ndërkohë që deklarata e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri se: “Droga e kapur në Malin e Zi nuk kishte destinacion Shqipërinë”, del e pavërtetë.  200 mijë euro ishte shpërblimi që rrjeti i drogës i kishte premtuar kolumbianit Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, për ngarkesën e lëndës narkotike që do të priste në Shqipëri.

FAKTET

Faktet janë rrëfyer nga kolumbiani gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Cezar ka pranuar para autoritetet shqiptare të hetimit se kishte mbërritur në Shqipëri më 19 Maj dhe qëndroi për plot 23 ditë në 3 hotele të ndryshme, derisa u arrestua në Rinas më 9 Qershor në tentative për të lënë Shqipërinë. “Qëllim i ardhjes në Shqipëri, ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge që do të vinte me një kontenier me fund të dyfishtë”, ka rrëfyer kolumbiani, çka korrespondon me 250 kilogramët e kokainës të kapur në kontenierin me banane të transportuar me anije nga Ekuadori. Ai ka treguar para oficerëve të policisë gjyqësore të gjithë skemën nga pritja e drogë, marrja e parave dhe kontaktin me një person që do të realizonte transferta bankare nga Shqipëria drejt Spanjës.
DËSHMIA

Për destinacionin e drogës, kolumbiani ka dhënë këtë dëshmi:
“Në Bogota jam kontaktuar nga dy persona, njërin prej tyre e njihja dhe kisha punuar për atë edhe herë të tjera për transportimin e parave. Ata më takuan, më thanë të vija në Shqipëri, ku do të merrja këstin e parë të një sasie droge që do të vinte këtu. Shuma që do merrja varionte nga 600 deri në 1 milion euro dhe për këtë punë do të fitoja 200 mijë euro nëse realizohej. Ata më dhanë një numër telefoni, që kur të mbërrija në Shqipëri t’i telefonoja nga hoteli. Pasi të merrja parat, do të njoftoja një person në Spanjë, që kishte njohje me disa drejtues bankash në Shqipëri dhe do të vinte këtu, ku nëpërmjet bankave do të kalonte parat te kolumbianët”. 

  Arrestohet në Rinas “Baroni i drogës” Gëzim Çela

TIRANË- Gëzim Çela, njeriu, i cili është arrestuar dje në mëngjes në aeroportin “Nënë Tereza” ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si nga drejtësia italiane por dhe nga ajo shqiptare. Në vitet 2003 ai cilësohej nga mediat italiane, si “baroni i drogës” dhe në Shqipëri si kapo i bandës kriminale të “Fushë- Kuqes”. Gëzim Çelës i janë vënë prangat në aeroportin e Rinasit, në momentin kur po kthehej nga Turqia, ku një javë më parë kishte dalë nga burgu. Çela ishte dënuar në Turqi me 6 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës.
Në maj të 2003 ishte dënuar nga një gjykatë italiane me 11 vjet burg – për akuzën e favorizimit të prostitucionit, ndërkohë që, në Shqipëri gjykata e Tiranës e kishte liruar pasi ai kishte paraqitur raporte mjekësore të falsifikuara. Sipas këtyre raporteve Çela vuante nga kanceri dhe duhej të mjekohej në Turqi. Vetëm pas lirimit prokuroria arriti të verifikonte se dokumentet ishin të falsifikuara. Në mars të 2003 një gjykatë italiane dënoi bandën kriminale të drejtuar nga Gëzim Çela dhe Sajmir Sadria, dhe të përbërë nga 14 shqiptare, 4 italiane dhe 1 ukrainase. Gëzim Çela, u dënua në mungesë, dhe sipas policisë italiane ai drejtonte trafikun nga Shqipëria, ndërkohë që në Itali komandonte Saimir Sadria. Këta të dy kanë marrë edhe dënimin më të madh, rreth 11 vjet burg secili.

Vrasja e komisar Musa Skurës, burg përjetë për Fitim Allën

TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me burgim të përjetshëm shtetasin Fitim Alla, i akuzuar si autori kryesor i vrasjes së komisarit të policisë Musa Skura, në 13 janar 2013 në Mat. Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, trupa gjykuese vendosi 4 vjet burg për Edison Lleshin dhe 6 vjet burg për Edison Mulkurtin.  Familjarët e të dënuarve e cilësuan të padrejtë vendimin e gjykatës dhe kërkuan zhvarrosjen e trupit të komisarit. Sipas tyre, pretendimet e prokurorisë se ai ka 3 plumba në trup nuk qëndrojnë. Familjarët shprehen të bindur se komisari është qëlluar vetëm me një plumb. Shefi i Krimeve të Policisë së Matit, Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande që trafikonte armë, në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit. Policia arrestoi 19-vjeçarin Fitim Alla dhe 18-vjeçarin Vilson Milkurti. Ndërsa në afërsi të vendit të ngjarjes u kapën edhe Edison Lleshi, 18 vjeç dhe një 15-vjeçar me inicialet A.LL.. Komisari Skura, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë mbrëmjen e 21 janarit 2013, në një spital në Itali.