Shpërthimi në farmaci, atentatori me biçikletë dhe i maskuar

417
Sigal

Atentatori është kapur nga kamerat e sigurisë së një biznesi tjetër aty pranë.

Në video e publikuar në media dallohet autori me një biçikletë që ka vendosur bombën në murin e farmacisë, në pjesën e jashtme të kondicionerit.

Shpërthimi në Farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka ndodhur rreth orës 02:50, ndërkohë që videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë shënojnë orën 02:23 si momentin e vendosjes së bombës.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi i njëjti person ka vendosur edhe eksplozivin te stacioni i autobusit pranë urës te Vasil Shanto, në vendin ku zakonisht parkonte makinën babai i ministrit Tahiri. Aktivizimi i bombës së dytë do të bëhej gjithashtu me telekomandim. Por bomba e cila është konstatuar rreth orës 06:10 është çaktivizuar me shpërthim të kontrolluar nga forcat RENEA. 
 
Ndërkohë që rreth orës 03: 56 të ditës së djeshme ka ndodhur një tjetër shpërthim  në kryeqytet ku si objektiv ka qenë shefi i krimeve në Vlorë, Alfred Numani. Fatmirësisht në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njeri në banesë.

Policia apel qytetarëve: Nëse keni informacione, na kontaktoni 
Policia e Shtetit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve duke kërkuar që të telefonojnë në nr 129 për të dhënë informacione të nevojshme  rreth personit i cili vendosi bombën në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.
 
Policia e Shtetit garanton se do të ruhet anonimiteti i plotë për personat që do të japinë këto informacione. 


Didi: Shpërthimi i parë në farmacinë e Bashkim Tahirit në orën 02:50

“Në ngjarjet me eksploziv e datës 10 shkurt 2015 në Tiranë janë evidentuar 2 ngjarje me shpërthim eksplozivi dhe një e mbetur në tentativë, e para në farmacinë e Bashkim Tahirit, rreth orës 02:50. pas njoftimit shërbimi i policisë shkoi në vendngjarje dhe nisi proceduarat për zbulimin ne ngjarjes dhe rezultoi se në pjesën e jashtme të kondicionerit është vendosur eksploziv si dhe është dëmtuar kondicioner. Nga masat e marra dhe këqyrja në vendngjarje rezulton se lënda plasëse është e llojit tritol në masën 400 gr me komandim në distancë nga celulari.”- tha Didi.