Shpërthim tritoli me telekomandë plagoset kreu i Komunës Qendër

60

VLORË/Policia: Janë dy pista kryesore hetimi: Atentati për shkak të detyrës dhe problemet personale të Berberit.

Shpërthimi me tritol trondit përsëri Vlorën. Këtë radhë, objekt i atentatit është një nga drejtuesit vendor të bregdetit. Kreu i komunës Qendër Vlorë, Fredo Berberi, ka mbetur i plagosur, si pasojë e shpërthimit të makinës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:10 në qendër të qytetit të Vlorës, ku një sasi eksplozivi “ka hedhur në erë” automjetin e krye komunarit Berberi. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore. Pas stabilizimit të përkohshëm, ai është nisur në spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve. Nga hetimet e para konfirmohet se, shpërthimi

Është bërë me telekomandë, ku një sasi lënde plasëse (dyshohet C-4) ka shkatërruar pothuaj krejtësisht automjetin e Berberit. Ndërkohë, janë dëmtuar dhe dy automjete të tjera që ndodheshin pranë, por nuk ka pasur të lënduar të tjerë. Në lidhje me këtë ngjarje është ngritur menjëherë një Grup i Posaçëm Hetimor, në përbërje të të cilit janë edhe Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Ekspertë Kriminalistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës.

POLICIA

Burimet policore japin dhe disa detaje rreth ngjarjes së rëndë. “Më datë 20.01.2014, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është marrë njoftim se në afërsi të Poliklinikës së qytetit të Vlorës ka ndodhur një shpërthim. Menjëherë në vend kanë shkuar të gjitha shërbimet e Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë, Prokurorë të Prokurorisë Vlorë, si dhe shërbimet e zjarrfikëses dhe ambulancës. Nga veprimet e para procedurale në vendngjarje ka rezultuar se shpërthimi ka ndodhur në automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa AA167DV, me ngjyrë të zezë, i cili ishte duke lëvizur me drejtim Vlorë-Skelë, nën drejtimin e të cilit ndodhej shtetasi: Fredo Berberi, 54 vjeç, me detyrë Kryetar i Komunës Qendër, Vlorë, i cili është transportuar menjëherë për në Spitalin Rajonal Vlorë, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në komunikatën e policisë.

VIKTIMA DHE HETIMET

Sipas mjekëve, gjendja e Berberit, është problematike, por është nën kontroll të plotë të ekipit mjekësor. “Pacienti Berberi, pas shpërthimit ka pësuar djegie në trup, më shumë në njërën dorë. Gjithashtu, ai ka pësuar dëmtime edhe në pjesën e pasme të trupit, si dhe ka thyer një pjesë të legenit. Fillimisht ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në sallën e operacionit në Spitalin e Vlorës dhe më pas është vendosur të sillet në Tiranë”,-konfirmuan mjekët. Konfirmohet se, janë dy pista kryesore hetimi: Atentati për shkak të detyrës dhe problemet personale të Berberit. Për gjendjen e Berberit janë interesuar deputetë e drejtues shtetërorë, ndërkohë, ka pasur reagime lidhur me ngjarjen dhe nga Rama, Berisha e deputetë të tjerë. Ata, pasi kanë dënuar aktin e kanë kërkuar që të mos politizohet ajo, kanë kërkuar identifikimin dhe ndalimin e autorëve të atentatit. Ndërkohë, banorët e Vlorës që kohët e fundit po vihen nën terrorin e tritolit e ngjarjeve të rënda, kërkojnë sigurinë për jetën. Për më tepër, janë disa ngjarje të rënda në këtë qytet, pa autor të identifikuar e ndëshkuar si tritoli makinës së prefektit Dervishi, tritoli në banesën e ish-deputetit Kollozi, vrasja e gjyqtarit Konomi, djegia e makinës së kryetarit të bashkisë, e ndodhur në 24 Janar 2012, etj…