Shpërthim me tritol në qendër të qytetit, shkatërrohet makina

421
Sigal

BURREL-Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje banorët e qytetit të Burrelit. Një automjet është shkatërruar plotësisht nga tritoli, ndërkohë që, jeta e qytetarëve vazhdon të jetë e pasigurt.

Shpërthimi i automjetit në pronësi të Gazmir Demës, paraditen e djeshme në Burrel, nuk është një rastësi, por një atentat ndaj tij. Ky është konkluzioni i grupit hetimor, i cili pas ekspertizës së bërë shprehet se, automjetit të Demës i është vendosur lëndë eksplozive. Sipas policisë së Burrelit, Gazmir Dema ka qenë disa herë i kërcënuar me jetë me anë të telefonatave pa numër, ndërsa vetë Dema, i ka denoncuar këto në komisariat. Mësohet se, Dema ndodhet ende në ambientet e Komisariatit të Burrelit, që prej orës 11:00 kur ndodhi ngjarja. Deri më tani nuk ka të dhëna lidhur me personat e dyshuar të këtij atentati, apo të arsyeve të tij, i cili fatmirësisht nuk shënoi viktima. Shpërthimi i automjetit tip “Ford” me targa AA373BC ndodhi paraditen e sotme rreth orës 10:30, para Bashkisë së Burrelit. Vetë Dema pohoi se dëgjoi shpërthimin pak minuta pasi kishte zbritur nga makina, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, për të paguar faturën e internetit rreth 30 metra larg automjetit. Ndërkaq ai hodhi edhe dyshimin për vendosje të lëndës eksplozive, pasi u shpreh se më 31 korrik është konfliktuar me një person të cilin e ka denoncuar në polici. Policia dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin e autorëve.