Shpallet në kërkim i dashuri biznesmen i Elvana Gjatës, akuzohet për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok

2401
Sigal

Zbulohen detaje të reja nga atentati i ndodhur mbrëmë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ku e përfshirë ishte dhe këngëtarja Elvana Gjata.

Faxweb raporton se i dashuri i saj Ervin Mataj është shpallur në kërkim së bashku me dy miq të tij, mbi të cilët rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese.

Vetë këngëtarja është shoqëruar në polici, teksa burime thonë se ajo ka qenë shumë e tronditur gjatë dëshmisë, po nuk e ka mohuar faktin se ka qenë aty në momentin kur ka ndodhur përplasja.

Lidhja e Elvana Gjatës me biznesmenin e njohur në fushën e ndërtimit është tentuar vazhdimisht që të mbahet larg vëmendjes së mediave, preferuar kjo nga vetë këngëtarja.

Edhe në festën e mbajtur në 30-vjetorin e saj Mataj nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa këngëtarja shoqërohej vetëm nga vjehrri dhe vjehrra e saj.

Detajet e policisë:

Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistë të Taks Forcës Qëndrore, Specialistë të Policisë së Shtetit, Specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj jetës dhe pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e një grupi Prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

– Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë

– Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit :

– E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë

– F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë

– M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë

Këta shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri – tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. M., dhe E. H., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

– armë zjarri tip “Glock”

– 11 gëzhoja

– 10 000 euro

– tre automjete

– aparate celular

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, të parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278 të Kodit Penal.