Show policor apo paaftësi profesionale e Policisë së Shtetit?!

509
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu e cilësoi “Megaoperacion” si aksionin e policisë që u zhvillua në disa qytete të Shqipërisë, njëkohësisht, për të goditur disa banda kriminale. Në fakt, ky aksion i policisë mori shtysë nga të dhënat që sollën shërbimet e fshehta të policisë gjermane, të cilat përgjonin trafiqet ndërkombëtare të bandave kriminale shqiptare në bashkëpunim ndërkombëtar me mafien. Mirëpo, bëri përshtypje që gjatë operacionit u lakuan si krerë të bandave edhe emra konkretë, madje u bënë edhe bastisje policore në banesat e tyre, u tha, që ata kanë ikur në drejtim të panjohur. Çudia ndodhi, kur pas 2 ditësh, emrat që u lakuan nga policia, si drejtuesit e bandave kriminale, u paraqitën në organet e drejtësisë për çështje të tjera gjyqësore dhe ndaj tyre nuk u ndërmor asnjë masë sigurie, duke dëshmuar se deklaratat e para disa ditëve të drejtuesve të lartë të policisë për emrat e drejtuesve të bandave kriminale ishin show propagandistik apo paaftësi profesionale, sepse policia nuk kishte provat e mjaftueshme për të provuar veprimtarinë kriminale të personave që lakoi.