Shkodra në zi. Humbin jetën pesë të rinj, i fundit mbrëmë vonë

156

Familjarët: Po ktheheshin nga një ditëlindje. Policia: Shpejtësia, shkak i aksidentit. Politikanët ngushëllojnë të afërmit

Pesë të rinj kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në Kryebushat në Shkodër. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:15 të së martës, ku një mjet tip “BMW” me targë SH 1818 E është përplasur me një kamion me targa PU 14 63A, i cili transportonte lëndë drusore. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje automjeti tip “BMW” ka qenë duke u kthyer nga Tirana për në Shkodër, por në Kryebushat është përplasur me kamionin me targa të Pukës, te vendi i quajtur kryqëzimi i Vaut të Dejës pasi aty është dhe rruga drejt Mjedës dhe Vaut të Dejës. Përplasja ka rezultuar fatale, fillimisht për të rinjtë Raelv Duli, Xheni Anamali, Ledio Pirani, Orlend Mreça, të gjithë 18-vjeçarë, të cilët kanë humbur jetën menjëherë.  Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të shumta për ta shpëtuar ka humbur jetën edhe 18 -vjeçari tjetër Osman Meraja, i cili ishte në timonin e makinës tip “BMW”, bashkë me katër viktimat e tjera. Kanë qenë rojet e objekteve në autostradën Shkodër- Lezhë në segmentin e Bushat-Shkodër, ku dhe ndodhi aksidenti dhe shokët e viktimave që ndodheshin në një mjet tjetër makinë, por që nuk është përfshirë në aksident, ato kanë lajmëruar policinë dhe janë përpjekur të ndihmojnë të dëmtuarit. Sipas tyre, katër prej të rinjve që ndodheshin në autoveturë kanë humbur jetën menjëherë pasi mjeti i tyre është futur nën pjesën e përparme të kamionit. Drejtuesi i kamionit Prend Ndreca 48 vjeç nga Fushë-Arrëzi nuk ka pësuar dëmtime ndërsa policia ka bërë arrestimin e tij në flagrancë.

 Hetimet

Sipas grupit hetimor dyshohet se, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Dyshohet se, të dyja mjetet kanë qenë duke lëvizur më shpejt se sa normat e lejuar, ndërsa në kryqëzim janë përplasur njëri-tjetrin. Të njohur të viktimave rrëfejnë se pesë të rinjtë, shokë mes tyre janë nisur pasditen e së hënës për të festuar në Tiranë ditëlindjen e njërit prej tyre.

Rama ngushëllon familjet: Do marrim masa urgjente!

Në një mesazh ngushëllimi në faqen e tij në Facebook Rama deklaron se qeveria do të marrë të gjitha masat për të parandaluar aksidentet rrugore. “Si përfaqësues i shtetit shqiptar, dua të shpreh vendosmërinë për të marrë në vijimësi të gjithë masat e nevojshme, që do të parandalonin, deri aty ku është e mundur, tmerre të tilla dhe aksidentet rrugore, që vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetët e qytetarëve tanë. Durim e forcë paçi, dua t’u them si bashkëqytetar katër familjeve. Qoftë i ndritur vendi e kujtimi i djemve tuaj”,-shkruan Rama në rrjetin social.

Basha: Bashkohem me dhimbjen që pllakosi familjet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka ngushëlluar familjet e të rinjve që humbën jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Shkodër. Në mesazhin e tij të ngushëllimit Basha shprehet se lajmi për vdekjen e katër të rinjve e ka tronditur pa masë. “Nuk ka fjalë që mund të lehtësojë dhimbjen e familjarëve. Bashkohem me dhimbjen që pllakosi katër familjet. Zotu u dhëntë forcë dhe kurajë për të përballuar këtë dhimbje”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.