Shkodër, RENEA arreston grupin e gjobëvënësve

783
Efektivë të RENEA-s dhe agjentë të policisë së Shkodrës kanë vënë në pranga këtë të shtunë anëtarët e një grupi kriminal, që me anë të dhunës u zhvasnin shuma parash tregtarëve të qytetit.
Arrestimet kanë ardhur me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila pas hetimesh të gjata ka ngritur dyshime të arsyeshme se këta persona janë përgjegjës për veprat penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “krijimit të grupit kriminal”. 
Përmes hetimeve, prokurorët e Shkodrës kanë arritur të zbërthejnë strukturën e këtij grupi dhe mënyrën e funksionimit të tij. 
Kështu, drejtuesit e organizatës angazhonin anëtarët që në çdo fundmuaji të merrnin nga çdo tregtar, kryesisht nga ata të Tregut të Zdrales, shumat nga 1.000 deri në 3.000 lekë. 
Sipas hetuesve, ky grup ka qenë aktiv të paktën që nga tetori i vitit 2016 dhe numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë. 
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se fillimisht ky grup ka larguar me anë të forcës një tjetër grup gjobëvënës dhe më pas ka operuar vetë, duke iu imponuar tregtarëve “taksën mujore”. 
Veç kësaj, anëtarët e grupit kishin për detyrë edhe të informonin shefat mbi lëvizjet e punonjësve të policisë në zonën e tyre të influencës, apo edhe të personave të panjohur që hynin në të. 
Hetimi i prokurorëve ka konstatuar se të arrestuarit kishin njohje dhe lidhje farefisnore me njëri-tjetrin, çka bënte më efikas agresionin e tyre kriminal. 
Me kërkesë të organit të akuzës së qytetit verior, gjykata e këtij rrethi ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.
Të arrestuarit janë shtetasit:
Mhamet Lici, 25 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje
Abedin Bajraktari, 27 vjeç
Denis Skutina, 24 vjeç
Besmir Domnori, 24 vjeç
Gëzim Vajushi, 57 vjeç
Fatmir Dibra, 53 vjeç
G.S, 17 vjeç
Atyre u janë sekuestruar një “Benz” i blinduar, 7 telefonë celularë, dylbi, 6 uniforma kamuflazhi, sasi kanabisi, 3 skafandra dhe një fletore ku mbaheshin shënim emrat e pagesat.
Sigal