Shkodër, përfshihet nga flakët banesa në lagjen “Gjuhadol”, digjet plotësisht kati i dytë

471
Luhatjet e energjisë elektrike kanë bërë që anëtarët e familjes së regjisorit të mirënjohur shkodran Gjovalin Stefes në “Gjuhadol” në qytetin e Shkodrës të mbesin në qiell të hapur, pasi shtëpia ku banonin është shkrumbuar nga zjarri. 
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00 të së martes, ku sipas dëshmitarëve në vendngjarje disa luhatje të një pas njëshme të tensionit të energjisë elektrike kanë shkaktuar zjarrin në banesën dykatëshe, ndërsa flakët janë përhapur menjëherë në të gjithë objektin duke e shkrumbuar brenda pak minutash të gjithë banesën. 
Në banesë në momentin e zjarrit ka qenë Gjovalin Stefa së bashku me bashkëshorten të cilët kur kanë vërejtur zjarrin kanë dalë menjëherë nga banesa dhe për pasojë nuk ka pasur asnjë të dëmtuar. Kanë qenë banorët e lagjes të cilët kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësen sapo kanë parë zjarrin, por pavarësisht ndërhyrjes së saj shuarja e flakëve ka qenë e pamundur pasi zjarri është përhapur në të gjithë objektin, ndërsa ka rrezikuar edhe banesat përreth. Ndërkohë si pasojë e zjarrit janë shembur edhe trarët e katit të dytë duke ndikuar negativisht në ndërhyrjen e zjarrfikësve brenda objektit për shkak të rrezikshmërisë. 
Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertët e policisë hetimore të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit i cili shkrumboi banesën dy katëshe në lagjen Gjuhadol. Burime brenda bluve bëjnë të ditur se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndije elektrike e cila është shkaktuar nga luhatja e tensionit. Përveç dëmeve materiale Stefa ka humbur edhe një fond të rëndësishëm librash, e cila trashëgohej prej vitesh.
Sigal