Shkodër, OSBE: Drejtësia, të vijohet me paketën e ligjeve shoqëruese

394
Edhe kryetari në detyrë i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton është shprehur nga Shkodra se, tashmë është mjaft i rëndësishëm zbatimi i reformës dhe miratimi i të gjithë paketës së ndryshimit të ligjeve. Këtë deklaratë, kreu i OSBE-së e bëri në ceremoninë e përurimit të Zyrave të Komunikimit me Zgjedhësit, për deputetët e Kuvendit në Bashkinë Shkodër.
“E kam përgëzuar publikisht Kuvendin për votimin unanim të paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi, sepse ishte një reagim ndaj vullnetit të popullit. Tashmë shpresojmë, që e njëjta frymë të mbizotërojë gjatë shqyrtimit dhe miratimit të të gjithë paketës me ndryshimet e ligjeve shoqëruese, me qëllim që të fillojë zbatimi konkret. Kjo reformë ekziston vetëm nëse zbatohet, nëse qytetarët shqiptarë shohin përmirësime të vërteta në realitetin e drejtësisë shqiptare”, tha Robert Wilton.
Gjithashtu, kreu në detyre i OSBE-së u shpreh edhe për rëndësinë që kanë zyrat e deputetëve.
“Lidhja midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre është thelbi i demokracisë. Pikërisht zyrat që po hapim sot, do të jenë vendtakimi lidhës midis deputetëve dhe qytetarëve. Ajo që pritet nga deputetët është të dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë dhe t’iu përgjigjen nevojave të tyre, në kohë dhe me efikasitet. Sa më shumë dijeni të kenë deputetët për nevojat dhe shqetësimet e elektoratit të tyre, aq më reagues bëhen. Po kështu, sa më shumë dijeni të kenë qytetarët për veprimtarinë e Kuvendit, aq më mirë mund t’i shprehin nevojat, mendimet e tyre dhe t’iu kërkojnë llogari përfaqësuesve të tyre”, tha Robert Wilton.
Sigal