Shkodër, atentat në hyrje të pallatit, njeriu me kapuç plagos me pistoletë 56 vjeçarin

392
Një 56-vjeçar mbeti i plagosur në rrethana misterioze ndërsa po hynte në banesën e tij, në një pallat në lagjen “Tophanë” të Shkodrës.
Selami Ahmeti kishte ngjitur shkallët e para të pallatit drejt portës kryesore, kur u qëllua me pistoletë nga një distancë e afërt rreth orës 15.20 minuta të së mërkurës nga një person i paidentifikuar.
Kanë qenë kalimtarët e rastit ato të cilët pasi dëgjuan krismat, kanë shpejtuar t’i japin ndihmën e parë 56-vjeçarit, si dhe kanë lajmëruar policinë lokale.
Selami Ahmeti u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës ku mësohet se i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa raportohet se momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektivët e policisë Shkodër dhe grupi ekspertizës të cilët kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa kanë shoqëruar në komisariat disa persona.
Sipas dëshmive të para të personave që ndodheshin në zonë, autori ka qenë i maskuar me një kapuç, ndërsa ishte me mjekër.
Ato kanë deponuar përpara uniformave blu se në momentin që ky shtetas ndodhej vetëm pak metra larg 56-vjeçarit ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tij dhe më pas është larguar menjëherë në këmbë nga vendngjarja.
Hetimet e policisë dhe krehja e zonës vijojnë, me qëllim rënien në gjurmët e autorit.
Pritet që në ndihmë të policisë të mund të vijnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së një biznesi aty pranë, me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së autorit si dhe zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.
Sigal