Shkodër, arrestohen me 600 paketa duhani kontrabandë

86
Dy persona kanë përfunduar në pranga një tjetër po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pas një operacioni të koduar “Trokadero”.
Policia e Shkodrës bën me dije se ka arrestuar shtetasit Ali Kopliku, 50 vjeç dhe Arben Lopçi, 52 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa po ndiqet penalisht 40 vjeçarja me iniciale A.L.
“Ndalimi i këtyre shtetasve, u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Ali Kopliku, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pako duhan i grirë, me mbishkrimin “Sheldija”, si dhe 600 paketa të Markës “Trokadero”, si dhe është kapur në flagrancë duke blerë nga shtetasi Arben Lopçi , 30 paketa cigare “Trokadero”, që i posedonin pa pullë të Ministrisë së Financave”, sqaron policia.
Në deklaratë thuhet se shtetasja A.L, u ndoq penalisht pasi materialet në fjalë janë gjetur në banesën e saj.
“Kjo shtetase ka tentuar fshehjen e 300 paketave cigare, duke i hedhur ne oborrin e komshijes, me qëllim fshehjen e tyre”, thuhet në njoftim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër , për veprime të mëtejshme.