Shkelje kushtetuese për zgjedhjen e Kryeprokurorit?

411
Sigal

Diskutimet mes partive politike nëse mandati i kryeprokurores përfundon në nëntor 2012 apo maj 2013

Për më pak se një muaj, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të nxjerrë dy dekrete të rëndësishme. I pari ka të bëjë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, për të cilën po kryen konsultime me partitë politike. Dekreti i dytë do të jetë pak më vonë, por shumë më delikat dhe, në ndryshim nga i pari, pritet të ngjallë debate në skenën politike shqiptare. Bëhet fjalë për dekretin që emëron prokurorin e përgjithshëm. Burime zyrtare bëjnë të ditur se presidenti Nishani ka krijuar ndërkohë bindjen se mandati i kryeprokurores Ina Rama nuk mund të zgjatet përtej 22 nëntorit, data kur 5 vjet më parë Ina Rama u votua nga Parlamenti për të drejtuar Prokurorinë e Republikës. Debati nëse Ina Ramës i skadon mandati në nëntor 2012 apo në maj të 2013-ës u soll në qendër të vëmendjes, në mënyrë publike, nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Vvolfarth. Pak kohë më parë, pas një takimi me prokuroren e përgjithshme, ai mbrojti tezën se: “Kjo nuk është një çështje javësh, por një çështje muajsh dhe se deri në majin e 2013-ës, autoritetet duhet të shqetësoheshin për të gjetur një person me integritet që të përballojë siç duhet përgjegjësitë e kryeprokurorit, duke ruajtur pavarësinë e institucionit”. Debatet për mandatin e prokurorit të përgjithshëm lidhen me faktin se, Ina Rama u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara ndryshimeve kushtetuese, ku me konsensus, demokratet dhe socialistët, përcaktuan një mandat 5-vjeçar për kreun e organit qendror të akuzës. Deri në kohën e emërimit të Ina Ramës, kryeprokurori kishte mandat të pakufizuar dhe mund të largohej ose me dorëheqje, ose me firmën e presidentit, pas një komisioni hetimor parlamentar. Deri tani, as Partia Demokratike, as Partia Socialiste nuk kanë deklaruar ndonjë pozicion zyrtar mbi debatin se kur i mbaron mandati prokurores së përgjithshme, Ina Rama. I pyetur për këtë çështje, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar vetëm se: “ka besim tek presidenti Nishani që me emërimin e prokurorit të ri të përgjithshëm do të respektojë Kushtetutën”.