SHKBA arreston inspektorin e zonës, nuk raportoi mbjelljen e kabanisit

400
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, sot në ora 10:00 arrestoi ish-punonjësin e policisë, Osman Rexha.
“Pas një hetimi 3 mujor në bashkëpunim me Prokurorinë, është provuar se inspektori Rexha, me detyrë ndihmës specialist i Policisë së Zonës, në Komisariatin e Krujës, në mospërmbushje të rregullt të detyrës nuk ka dhënë informacion dhe ka lejuar mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike, në zonën që mbulonte”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Policia e Durrësit, në datë 25 maj 2015, në fshatin Larushk, në Fushë-Krujë, zbuloi një sipërfaqe toke të mbjellë me rreth 6 mijë rrënjë kanabis, në pronësi të shtetasit Isuf Tema. Kjo parcelë nuk është raportuar, sipas detyrimit ligjor nga inspektori i zonës, Rexha. Po kështu, në datë 22 korrik, provohet se në zonën që ai mbulonte, janë identifikuar edhe 3 parcela të tjera të kultivuara me bimë narkotike, në fshatrat Larushk dhe Zezë, me rreth 350 rrënjë kanabis sattiva.
Pas operacionit për asgjesimin e bimëve narkotike, Policia e Shtetit, përjashtoi për shkelje të rënda inspektorin, ndërsa SHÇBA nisi procedimin për shkelje të detyrës.
SHÇBA, thonë burime nga Ministria e Brendshme, ka nisur verifikimin dhe inspektimin në të gjithë rastet ku është zbuluar kultivim i bimëve narkotike, lidhur me përgjegjësinë e punonjësvë të policisë që nuk kanë kryer detyrën.
Sigal