Shkatërrohet organizata e trafikut të drogës, arrestohen 9 shqiptarë

124
Policia greke ka mundur të shkatërrojë një organizatë të trafikut të lëndëve narkotike, e cila operonte në qendër të Athinës. Sipas policisë së kryeqytetit grek, 9 shqiptarë, 4 polakë dhe 4 grekë përbënin atë që quhet bërthama e organizatës kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 17.5 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 185 gramë kokainë, si dhe një numër i madh materialesh ndihmuese të organizatës, një pistoletë dhe 27 fishekë, një sasi parash “cash” dhe mijëra qeska të vogla paketimi të lëndës narkotike.
Policia thotë se kreu i organizatës është një 32-vjeçar shqiptar, ndërsa të gjithë të arrestuarit kishin një rol aktiv në aktivitetin e saj. Arrestimet u kryen në zonat Exarchia, Gizi dhe Lofos Strefi. Disa prej trafikantëve ishin ngarkuar me furnizimin me lëndë narkotike, e disa të tjerë e shpërndanin atë.
Përfitimet e organizatës llogariten në qindra mijë euro në vit, të cilat pastroheshin nëpërmjet blerjes së skedinave fituese në lotarinë greke dhe bastet zyrtare. Autoritetet sqarojnë se, qendra e organizatës ndodhej në lagjen rebele “Exarchia”, pasi trafikantët mendonin se në këtë zonë të kryeqytetit helen kishin mundësi të shfrytëzonin pamundësinë e futjes së policisë në të. Gjatë oreracionit për kapjen e trafikantëve, policia përdori edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për të mundësuar lëvizjen e policëve në rrugët e “Exarchia”-s. Të arrestuarit do t’i dërgohen Gjykatës së Athinës për masë sigurie.