Shkatërrohet grupi greko-shqiptar i trafikut të drogës, 5 në pranga

110
Dy shtetas shqiptarë dhe tre grekë janë arrestuar në dy operacione të policisë helene, në Kostur dhe Selanik.

Sipas komunikatës së policisë, dy makina që po lëviznin në aksin rrugor Kostur – Selanik janë ndaluar për kontroll dhe në brendësi të automjetit të parë u gjetën katër çanta udhëtimi me 87 kg kanabis të ambalazhuara në 75 qese plastmasi.

Drejtuesi i mjetit të parë, shtetas shqiptar i moshës 53 vjeç dhe një shtetas grek, i moshes 31 vjeç, u arrestuan. Gjithashtu u arrestuan dhe dy shtetasit grekë që ndodheshin në mjetin e dytë, që kishte rolin e pararojës.

Në vazhdim të hetimeve, policia greke ka identifikuar dhe arrestuar një shtetas shqiptar të moshës 43 vjeç, si kreun e grupit të trafikantëve, që kishin sjellë në Greqi sasi të mëdha droge, pjesë e së cilkës ishin dhe 87 kilogramët.

Gjatë arrestimit, si dhe nga kontrollet në banesat e të arrestuarve, policia ka sekuestruar, përveç kanabisit, edhe pesë automjete, 11 telefona celularë, dhe një shumë parash prej 4.650 euro.