Një ri 21-vjeçar nga Kuçova shëtiste me pistoletë rrugëve të Kuçovës, por shëtitjet e ‘armatosura” morën fund ditën e djeshme. Policia i ka kërkuar Xhuljano Kapllanajt të ndalojë për ta kontrolluar, por i riu nuk i është bindur urdhrit duke u larguar me vrap. Në vrap e sipër, ai ka flakur tutje një pistoletë të markës Beretta, e cila, pas arrestimit të tij, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia i vuri prangat dhe i zbuloi në çantën marsup dhe një fishek të kalibrit 9 mm.
Tashmë, Kapllanaj do të gjykohet për dy vepra penale: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 242 e 278 të Kodit Penal.