Sherr në Pogradec, 37-vjeçari i dehur qëllon me thikë bashkëfshatarin

Një i ri ka mbetur i plagosur më thikë në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur sot në fshatin Buçimas, ku 27-vjeçari D.Hoxhallari është qëlluar me thikë nga bashkëshfatari i tij.

Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë dhe nga hetimet paraprake rezulton se 27-vjeçari pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ishte plagosur me thikë nga një person, i cili pas kryerjes të veprimit ishte larguar nga vendngjarja.

Brenda një kohe të shkurtër shërbimet e Policisë Pogradec, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit S.Hoxhallari, 37 vjeç, banues në fshatin Buçimas i cili ndodhet në Komisariatin e Policisë Pogradec, ku po kryhen veprimet procedurale për arrestimin e tij. Mësohet se autori ka qenë në efektin e alkoolit.

I plagosuri D.Hoxhallari, pas mjekimit të marrë në Spitalin e Pogradecit, u transportua në Tiranë për mjekim më të specializuar, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.