Sherr me thika në Fier, vdes në spital 27-vjeçari

464
Sigal

FIER/Policia shkon në vendin e ngjarjes dhe mbledh provat, autori largohet dhe është në kërkim. Krimi pas një konflikti.

 Një tjetër tragjedi e rëndë është regjistruar ditën e  djeshme në një fshat të Fierit, ku si pasojë e një konflikti me thika, ka humbur jetën një 27 -vjeçar. Ndërkohë, policia që shkoi në vendin e ngjarjes pas njoftimit, ka bërë administrimin e tragjedisë, ka bërë dhe identifikimin e autorit, por nuk ka mundur ta kapë pasi ai është larguar në drejtim të paditur. Burimet për “Telegraf” thonë se, “nga përleshja me thika ka humbur jetën 27-vjeçari Kastriot Toska, ndërsa i akuzuari për këtë krim, është bashkëfshatari i tij, 46- vjeçari Tomorr Kaso, i shpallur në kërkim policor”. Burimet e mësipërme japin dhe detaje për ngjarjen e rëndë që ka tronditur komunitetin vendas. “Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 18:00 të ditës së hënë në fshatin Sukë të rrethit të Fierit. Pas një konflikti me fjalë, pasuar me konflikt fizik, dy personat, viktima dhe i akuzuari, kanë vazhduar përleshjen me thika. Për pasojë, nga dy goditjet me thikë, është plagosur rëndë 27-vjeçari Kastriot Toska. Ai është nisur me urgjencë në spital, por për shkak të plagëve të rënda, nuk ka mundur të jetojnë. Vdekja e 27-vjeçarit ka ndodhur si pasojë e dy goditjeve të forta me thikë në bark, të cilat i kanë prekur e dëmtuar rëndë organet jetësore. Si i dyshuar është 46-vjeçari Tomorr Kaso, i cili është larguar në drejtim të paditur dhe është shpallur në kërkim nga policia”,- shtojnë burimet e mësipërme. Burime konfidenciale konfirmojnë se, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një sherri me fjalë, por mes dy të konfliktuarëve, mendohet se ka pasur dhe sherre të mëparshme. Dyshohet se, burim i sherreve, mund të ketë qenë konflikti i pronësisë. Krimi i rëndë ka ngjallur panik tek fshatarët dhe më gjerë. Ata ndjehen të pasigurt dhe të pambrojtur nga krimi në rrugë. Para pak ditësh, një krim tjetër i rëndë tronditi opinionin në vend. Pas një sherri të mbartur, neglizhuar nga drejtuesit e shkollës e policia, një 16-vjeçar goditi me kallashnikov shokun e tij teksa po zhvillohej ora e mësimit në kabinetin e shkollës.