SHÇBA arreston shefin e krimeve Elbasan, favorizonte Lojrat e fatit

495
Pak minuta më parë, SH.Ç.B.A (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) në MPB, arrestoi punonjësin e policisë Komisar Abaz Lala, me detyrë shef i Policisë Kriminale dhe zv/Shef i Komisariatit të Policisë Elbasan.
Arrestimi i Lalës u krye në zbatim të ekzekutimit të Vendimit Penal, “Arrest me burg “, të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, datë 03.06.2015.
Ndaj këtij punonjësi SH.Ç.B.A-ja, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për një periudhë katër mujore ka kryer hetime proaktive duke aplikuar metodat dhe teknikat speciale të hetimit, me anë të të cilave ka provuar se Komisari Abaz Lala ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar përkatësisht nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
Punonjësi i policisë Abaz Lala, duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt shpërblimeve në shumë të konsiderueshme parash, në mënyrë të vazhdueshme njoftonte subjekte të ndryshme që ushtronin aktivitetin e lojrave të fatit në mënyrë të kundraligjshme, në lidhje me operacionet sekrete që Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, zhvillonin për evidentimin dhe kontrollin e ambjenteve dhe lokaleve që ushtronin këtë aktivitet.
Përveç sa sipër, ky punonjës policie menaxhonte disa pika ku zhvilloheshin aktivitete të kundraligjshme të lojrave të fatit.
Gjithashtu, po sot SH.Ç.B.A-ja, në funksion të hetimeve që kryhen për të njëjtin Procedim Penal, ekzekutoi Vendimit Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila ka vendosur “Masën e Sigurimit Ndalues” për punonjësin e policisë Fatjon Susaj me detyrë specialist për hetimin e krimeve të rënda në D.P.Q-Elbasan, atë të “ Pezullimit nga detyra si punonjës policie”. N/komisar Susaj, ka fshehur dhe shmangur dokumentimin ligjor të veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”
Sigal