Sezoni turistik – Policia kalon në shërbim 12 orësh. Në Vlorë shtohet dhe një grup FNSH

536
Policia e Shtetit kalon në shërbim 12 orësh për të rritur sigurinë e pushuesve në plazhet e vendit por jo vetëm. 

Ndërkohë vëmendja është përqëndruar në Vlorë, ku vihet re fluks dhe ngarkesë e madhe. Jo vetëm kaq brenda gati një muaji në këtë qytet pati dhe dy atentate. Gjithashtu policia është përqëndruar në luftën e parandalimit dhe të goditjes së kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike si dhe të goditjes së grupeve kriminale

Janë rreth 307 efektivë policie të angazhuara në qarkun e Vlorës për sezonin turistik, ndërsa në fundjavë do të shtohet dhe një grup i FNSH.

Gjatë takimit të zhvilluar me stafin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, asaj Kufitare dhe Delta Forcës, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato, ka theksuar se Vlora është qarku me shtrirjen më të madhe të vijës bregdetare.

“Janë rreth 307 forca policie të angazhuara në qarkun e Vlorës për sezonin turistik. Ndryshe nga viti i kaluar, sivjet kemi përzgjedhur punonjës policie të rinj, me performancë të mirë, duke i angazhuar në patrulla dyshe me biçikleta dhe motoçikileta. Njëkohësisht kemi angazhuar edhe grupet e FNSH-së e “Delta forcë-s”, por duke parë fluksin dhe ngarkesën e madhe, mendojmë që në Vlorë në fundjavë të shtojmë edhe një grup tjetër të FNSH-së” thuhet në njoftimin e policisë

Inspektimi nga ajri dhe toka ka vijuar nga Vlora deri në Ksamil – Ndërkohë zyrtarë të lartë të policisë – Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, sëbashku me Drejtorin e Departamentit të Sigurisë, Drejtues i Lartë Altin Qato, Drejtorin e Policisë Rrugore, Drejtues Mitat Tola dhe Shefin e Sektorit për Kufirin detar, Drejtues Tomorr Duro – kanë monitoruar dhe inspektuar masat e marra nga bashkitë për krijimin e perimetrit të sigurisë për pushuesit, si dhe të korridoreve për mjetet lundruese. Gjithashtu kanë inspektuar punën e strukturave të Policisë Vendore dhe asaj të Kufirit në Vlorë, Himarë e Sarandë.

Policia në shërbim 12 orësh, rikontrolloni gjithë territorin – Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato ka kërkuar vijimin më me përkushim të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

“Menjëherë të fillojë përsëri rikontrolli i imtësishëm i gjithë territorit, i magazinave, ish magazinave e depove, e tuneleve, ish reparteve e banesave të braktisura, më qëllim të dyfishë, edhe për të parandaluar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike , por edhe për të evidentuar e goditur magazinimin e lëndës narkotike që mund të jetë të prodhuar vitin e kaluar.”

Së dyti, intensifikoni masat për të rritur parametrat e sigurisë së pushuesve dhe të qytetarëve në përgjithësi. Nën drejtimin e Prefektit, vijoni kontrollet në të gjitha plazhet me qëllim që pushteti vendor të krijojë të gjitha kushtet e sigurisë nga mjetet lundruese për plazhistët. Asnjë hap prapa, asnjë tolerim përballë çdo presioni, për Policinë e Shtetit është primare siguria e jetës së qytetarëve dhe jo përfitimi i disave në kundërshtim me ligjin dhe duke u shndërruar në rrezik për jetën e të tjerëve” mësohet të jetë shprehur zoti Qato shkruhet në njoftimin për shtyp.

Mos toleroni asnjë shkelje nga shoferët – Gjithashtu efektivëve të policisë u është kërkuar të intensifikojë masat për ndëshikimin e të gjithë atyre drejtuesëve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke parakaluar në mënyrë të gabuar, duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur, duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Goditja e grupeve kriminale
Policia u ka kërkuar të evidentohen të gjithë personat e dyshuar si pjesë e grupeve kriminale dhe pasuritë e tyre pasi me rënien e fluksit të pushuesve do të nisë një operacion për goditjen e tyre

“Së fundi por jo për nga rëndësia, goditja e grupeve kriminale, e elementëve me precedentë kriminalë, e atyre që qarkullojnë me makina të blinduara apo me armë zjarri pa leje. Nga ana juaj të evidentohen të gjithë këta persona, pasurite e tyre të cilat nuk i justifikojnë, pasi ne po hartojmë një plan masash, dhe me rënien e fluksit të pushuesve, menjëherë do të fillojmë punën për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale”.

Zyrtarët e lartë u kanë kërkuar policisë të vlerësojnë maksimalisht çdo telefonatë që vjen në sallën operative dhe të trajtojnë me profesionalizëm çdo konflikt, sado i vogël që të jetë, pasi edhe konflikti më banal mund të përshkallëzohet deri në humbje jete. 

Takime dhe ne Sarande- Takim i ngjashëm është zhvilluar edhe në komisariatin e Policisë Sarandë me stafin drejtues të policisë vendore dhe asaj kufitare, ku të pranishëm ishin edhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Shehaj , si dhe Drejtori Rajonal i Kufirit Luan Hyseni.

Shefi i Policisë Kufitare, Përparim Xhaferi ka theksuar se po merren masat e nevojshme nga pushteti vendor si në Sarandë edhe në Ksamil, duke vendosur perimetrin e sigurisë sipas kërkesave të VKM-së.
Sigal