Sekuestrohen 20 mijë euro të falsifikuara, pranga 37-vjeçarit

398
Sigal

Në kuadër të operacionit të koduar ‘500’, Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjecar, pasi akuzohet për veprat penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.

Në pranga ka përfunduar G. Xh., 37 vjeç, banues në Kavajë, ndërsa janë sekuestruar 20.500 euro të dyshuara të falsifikuara, automjet e aparate celular.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet një 37-vjeçar për veprat penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 20.500 euro të dyshuara të falsifikuara, automjet e aparate celular.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “500”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

G. Xh., 37 vjeç, banues në Kavajë.

Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative në rrugën “Sadik Petrela” u bë ndalimi i mjetit, me të cilin ky shtetas po lëvizte.

Gjatë kontrollit iu gjetën 20.500 euro të dyshuara të falsifikuara të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me mjetin dhe dy aparate celular.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqesor Tiranë, në ngarkim të shtetasit të sipërpërmendur, për veprat penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”, parashikuar nga nenet 183 dhe 149/a të Kodit Penal.