Rriten temperaturat, shtohen edhe zjarret, 15 vatra të reja brenda 24 orësh

410
Temperaturat e larta vijojnë të jenë të pranishme në të gjithë territorin e vendit duke përbërë kështu një rrezik të vazhdueshëm për zjarret. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin ka pasur 15 vatra zjarresh në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër dhe Shkodër.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës për të shuar zjarret pavarësisht terrenit të vështirë. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 175 forca zjarrfikëse me 30 automjete, 50 forca ushtarake si dhe 24 forca vullnetare.

Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.

QARKU GJIROKASTËR
Në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikëse nga Tepelena, Përmeti dhe Gjirokastra.

Për shkak të erës flakët rrezikuan edhe disa banesa që ndodheshin pranë si dhe spitalin e qytetit. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë ndërhyrë edhe 20 efektivë të ushtrisë. Gjatë orëve të para të mëngjesit është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha me shkurre dhe u shpëtua kurora e qytetit të Tepelenës. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

QARKU SHKODËR
– Në fshatin Melgush, Vau-Dejës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të sipërfaqes së madhe në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 30 forca ushtarake për shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe u shpëtuan disa rrënjë ulliri.

– Në lagjen “Dacin”, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me shkurre. Zjarri u riaktivizua në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset për shuarjen e zjarrit.

– Në kurorën me pisha të qytetit të Pukës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me shkurre.

QARKU FIER
Në fshatin Dushk Peqin, Lushnje, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj.

Për shkak të terrenit të thyer zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore, për të shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 8 ha shkurre, blir, dafina dhe 150 rrënjë ulliri.

QARKU DIBËR
Në fshatin Çerenec i Poshtëm, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe dushk i ulët. Për shkak të tërrenit të thyer malor, zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre dhe dushk i ulët.

Në fshatin Vajkal, Bulqizë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha të ulëta. Zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me pisha të ulëta.

QARKU ELBASAN
Zjarri në fshatin Ermenj, Gramsh u riaktivizua përsëri ditën djeshme. Si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe rreth 1.5 dynym me shkurre dhe përshkroi disa pisha të larta.

Në fshatin Çekin, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha të larta. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre dhe përshkroi disa pisha të larta.

Në Bradashesh, Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre.

Në lagjen “Xhami”, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre.

Në fshatin Dumberas, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre dhe pisha dhe u shpëtuan disa rrënjë ulliri.

QARKU BERAT
Në fshatin Dardhë Berat, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve situata u vu nën kontroll dhe zjarri u shua plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe pisha.

QARKU DURRËS
Në rrugën nacionale Plepa-Ndroq-Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me shkurre.

QARKU VLORË
Në fshatin Lefterhor Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre.
Sigal