Rrëzohet makina, humb jetën deputeti Sokol Olldashi

524
Sigal

 Operacioni për nxjerrjen e trupave ka vazhduar deri afër mesnatës

 Mbrëmë rreth orës 21:18, ka ndodhur një ngjarje e rëndë, në aksin rrugor Tiranë Elbasan, ku pas një aksidenti automobilistik, ka humbur jetën deputeti Sokol Olldashi. Ngjarja ka ndodhur pas një aksidenti  në aksin Tiranë-Elbasan, pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte, ka rënë në greminë.  Aksidenti automobilistik u shënua në zonën e njohur si “Lapidari” i Kërrabës. Në momentin e aksidentit, deputeti Olldashi së bashku me një person tjetër po udhëtonin me automjetin tip ‘Benz’ i zi AA003HN’. Personi tjetër ishte, ish drejtori i Policisë Rrugore Shkëlzen Aliaj, i cili gjithashtu, ka humbur jetën në këtë aksident. Bëhet e ditur se makina drejtohej nga vetë, deputeti Olldashi. Makina ka rënë nga një lartësi e madhe, ndërsa vështirësi është paraqitur në nxjerrjen e trupave. Policia, së bashku me dy ambulanca dhe një makinë zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje. Pas kësaj në vendin e ngjarjes mbërriti dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe deputeti Flamur Noka. Deputeti Flamur Noka ndodhet në vendngjarje, por nuk ka pranuar të flasë. “Nuk mund të flas dot”, është shprehur Noka. Ndërkaq, kjo ngjarje krijoi ka shkaktuar një dhimbje të madhe tek familjarët, miqtë, të afërmit dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Sokol Olldashi ishte njëri prej politikanëve më të nderuar dhe më të respektuar, të politikës shqiptare, në këto 23 vjet. Të gjithë ata që e kanë njohur derdhën dje, lot të sinqertë për humbjen e tij, ndërkohë që, të gjithë gazetarët, e kujtojnë me shumë nderim figurën e ish- kolegut të tyre. Nga ana e tij, deputeti Alfred Peza sapo mori vesh lajmin u shpreh: “E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot në 18:30 në barin e hotel “Rogner”…  Po kështu shumë njerëz pas lajmit të hidhur e kanë kujtuar mbrëmë, me shumë respekt, njeriun që ishte gjithmonë optimist dhe me besim të plotë për çdo situatë që paraqitej. Me këtë humbje, politika humbi një prej figurave më të nderuara, ndërsa familja, njeriun më të dashur. Ndërkohë e gjithë shoqëria shqiptare pësoi një traumë të rëndë, për shkak të respektit që gëzonin për të dhe për natyrën e tij kurajoze dhe të drejtpërdrejtë. Mbrëmë, deri në mesnatë, vazhdoi operacioni i nxjerrjes së trupave, ku rezultoi me humbje të jetës edhe një person tjetër.

 Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me shpejtësi thuajse të gjithë politikanët kryesorë të Partisë Demokratike, duke përfshirë kryetarin Lulzim Basha, ish -kryeministri Sali Berisha, e shumë të tjerë. Po kështu, në vendngjarje përveç ministrit Saimir Tahiri, mbërritën me urgjencë edhe Kryeparlamentari Ilir Meta, si edhe shumë figura të tjera të qeverisë, apo koalicionit të Majtë. Kjo sepse, Olldashi ishte mik i të gjithë politikanëve dhe njëkohësisht i të gjithë shqiptarëve të thjeshtë. Pikërisht pak minuta para mesnatës, trupi i tij i pajetë u dërgua në mjediset spitalore, ndërsa makina e tij, e dëmtuar rëndë u transportua nga vendi i ngjarjes. Po kështu në vendngjarje erdhën edhe ekspertë të shumtë, si edhe Kryeprokurori Llalla. Kjo humbje e rëndë u reflektua dje në dëshpërimin e të gjithë shqiptarëve, të cilët e vlerësonin dhe e nderonin kontributin dhe figurën deputetit Sokol Olldashi.

   Sokol Olldashi politikani i respektuar prej të gjithëve

Sokol Olldashi ishte njëri prej politikanëve që respektohej prej të gjithë shqiptarëve. Ai është lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës, ishte zgjedhur disa herë si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe më vonë, u zgjodh si Ministër i Punëve Publike dhe Transportit në qeverinë shqiptare. Shkollimin e mesëm e ka kryer në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995-n dhe në vitin 2004, Kolegjin e Mbrojtjes, pranë Komandës së Doktrinave. Që nga koha e studimeve ka filluar të punojë si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe bëhet Kryeredaktor i televizionit ATN, pastaj zgjidhet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe në vitin 2001, zgjidhet deputet në Parlament. Që nga viti 2007, deri në shtatorin  e këtij viti mbante postin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Shqipërisë. Olldashi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja, ndërkohë që, ai ka kryer edhe shumë detyra të tjera politike dhe shoqërore.