Rrëshqitja e gurëve në Shëngjin, flet shoferi i autobusit: S’kam parë diçka të tillë në 20 vite

896
Sigal

Një masiv shkëmbor ka rënë nga mali në vendin e quajtur Knallë në Shëngjini dhe ka goditur një autobuz me punëtorë që po kalonte në rrugën automobilistike. Dy punëtore që udhëtonin mjetin janë plagosur dhe janë dërguar me shpejtësi në spital. Njera prej tyre në Qendrën e Traumës Tiranë dhe tjetra në spitalin e Lezhës.

Shoferi Pal Paci thotë se po transportonte punëtorë të një fabrike të peshkut dhe se ka 20 vite që punon si shofer, por nuk ka hasur në një fenomen të tillë.

“Kam 20 vjet shofer dhe nuk kam parë diçka të tillë. Rrezikojnë të shkëputen edhe gurë të tjerë në këtë aks rrugor dhe duhet të merren masa”- thotë Pal Paci.

Nga shkëputja e gurëve nga mali, të cilët ranë në autobusin me targa AA 971 JZ janë plagosur dy gra, njëra prej të cilave është dërguar në Tiranë dhe tjetra po merr mjekim në spitalin e Lezhës.

I gjithë aksi rrugor nuk është i mbuluar me rrjetë teli dhe mbetet një rrezik për të gjithë mjetet që kalojnë. Masivi i gurit që ka rënë mbi autobus, fatmirësisht nuk ka qenë nga maja e malit duke mos pasur shpejtësi të madhe. Kjo është arsyeja se pse është shmangur një tragjedi e përmasave më të mëdha.

Njoftimi i policisë:
Me datë 06.06.2018, rreth orës 06:42, është marrë njoftim se në rrugën Lezhë – Shëngjin, tek vendi i quajtur “Knalla”, një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali dhe i ka rënë një autobusi me targa AA 971 JZ, me drejtues shtetasin P.P. i cili po kalonte aty në ato momente.

Për pasojë janë dëmtuar 2 shtetase, K.D. 21 vjeçe banuese në Zejmen e cila është transportuar për në Qendrën e Traumes në Tiranë, dhe shtetasia B.Z. 23 vjeçe banuese në Tresh, e cila ndodhet në spitalin Rajonal Lezhë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.