Rrëfimi tronditës i kryefamiljarit Abrashi në Pogradec

417
Moti i keq i ka dhënë një tjetër goditje familjes Abrashi në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Në shkurt të këtij viti, reshjet e shumta dhe dalja e lumit nga shtrati i morën jetën kryefamiljares së kësaj familjeje, Monika Abrashit, të cilën e zuri muri i shtëpisë. Ndërkohë, babai dhe fëmijët jetim sot janë pa strehë, pasi shiu i djeshëm ka shembur gjysmën e banesës së tyre. Lajmi për shembjen e banesës është njoftuar nga vetë kryefamiljari Andrea Abrashi, në një intervistë për një media. “Ishim afër mëngjesit, pa u gdhirë ende, kur dëgjuam pjesën e çatisë të kërciste. Gjithë natën kishte rënë shi pa pushim dhe unë kisha frikë të them të drejtën, pasi më vdiq gruaja në shkurt nga ky i mallkuar lumë. E pashë që uji ishte futur në oborr dhe po rritej niveli pak nga pak. Pastaj dëgjuam çatinë dhe murin e pasmë të shtëpisë që u rrëzua. U trembëm se menduam se na zuri brenda. Mora fëmijët me vrap dhe i nxora përjashta nga frika. Për momentin do strehohem te ndonjë i afërm se këtu nuk jetohet. Por unë jam i varfër dhe nuk kam fuqi të bëj diçka në këto rrethana. Nuk kam mundësi financiare. Vetëm nëse shteti mund të vendosë dorën në zemër. Unë kam frikë për fëmijët. Nuk di nëse do mund të jetoj më këtu apo jo. Më duket si vend i mallkuar”, ka pohuar Abrashi. Ndërkohë, ai ka deklaruar se komuna nuk u ka ofruar asnjë ndihmë, edhe pse u është lutur disa herë. “Jo, aspak. U jam lutur disa herë, sepse e dija që vjeshta do vinte prapë dhe lumi do ngrihej, por askush s’më ka ndihmuar. Muri rrethues i oborrit është i ulët dhe unë s’kam lekë për ta bërë të lartë, e rezistent nga rrëketë që zbresin nga mali. Tani më ra dhe gjysma e banesës dhe në pjesën tjetër thuajse nuk jetohet. Nuk di ç’të bëj me fëmijët jetimë që tani kam për t’i rritur. Ju lutem të vendosni dorën në zemër!”, ka thënë kryefamiljari.
Sigal