Rrëfimi i Sinanaj për vrasjet me pagesë dhe shtetarët e lidhur me krimin

465
Sigal

Bashkëpunimi me drejtësinë i vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj, çon në zbulimin e të dyshuarit si financues të vrasjes në tentativë, të një biznesmeni hidrokarburesh në Durrës

Ai është një tjetër biznesmen që ushtronte tregtinë në të njëjtën fushë dhe vrasja do të bëhej për arsye konkurrence në tregun e gazit të lëngshëm. Personi i dyshuar quhet Ilir Karçini dhe është pronar i kompanisë së gazit “Primagaz”. Ndërkohë që është konfirmuar tashmë, gjithnjë sipas rrëfimeve të Sinanajt, se për vrasjen e biznesmenit nga Durrësi, Pirro Bare, atij i ishin ofruar 120 mijë euro. Në fakt kjo ka qenë shuma që i ka ofruar atij ndërmjetësi Andon Mehilli, i cili konsiderohet edhe si pronari i këtij biznesi kriminal që kryente vrasje kundrejt pagesave. Por nuk dihet shuma që porositësi i krimit mund t’i ketë paguar Mehillit. Sipas Sinanajt, biznesmeni nga Durrësi do të vritej pikërisht në datën 25 janar, pak para se ai të arrestohej, ndërsa me vete kishte armët me të cilat do të kryente krimin. Më herët Sinanaj kishte bërë studimin e të gjitha lëvizjeve të biznesmenit durrsak, duke fiksuar edhe fotografi të tij, për të mos gabuar shënjestër. Fillimisht, ka qenë ndërmjetësi Andon Mehilli ai që ia ka prezantuar në distancë Sinanajt biznesmenin që duhej vrarë, në një kafene pranë Liqenit Artificial në Tiranë, dhe pas kësaj ai ka nisur përgatitjen e planit të ekzekutimit. Ky është rasti i parë që arrestohet një i dyshuar si financuesi i një krimi me pagesë, në serinë e krimeve të kësaj bande.  Deri tani në burg ishin vetëm ekzekutorët, ndërsa personat që drejtonin këtë sipërmarrje kriminale, kushërinjtë Mëhilli nga Vlora janë zhdukur pas arrestimi të Sinanajt. Ndërkohë, nuk ka të dhëna, deri tani, nëse ka apo jo prova të tjera për implikimin e Karçinit, veç dëshmisë se Sinanajt, i cili ka vepruar nën urdhrat dhe me ndërmjetësinë e Mëhillit. Pas të gjitha këtyre ato çka ngrihen në ajër janë shumë dyshime dhe pikëpyetje për drejtësinë shqiptare. Kush janë mbrojtësit e biznesmenëve? Kush janë zyrat e avokatëve të këtyre njerëzve, të shikohen dhe do shohim çudira? Kush janë zyrat dhe noterët e këtyre agallarëve të lidhur me krimin dhe porositësit e tyre? Ka ish- pushtetarë që kanë lidhje me grabitësit dhe falsifikatorët e pronave, të bizneseve, të emërimeve dhe të lidhjeve me pushtetin e sotëm. Pse nuk bëhen publike lidhjet e vrasësve dhe shtytësve me njerëzit e politikës në qytetin e Vlorës. Një pjesë e mirë e tyre kanë lidhje më pushtetarët e  PS-së së dikurshme dhe Rilindësit e PS-së të futur në lista deputetësh dhe drejtorësh të emëruar kohët e fundit. Po drejtorët e policive që i emërojnë me dhunë bandat e pushtetit aktual dhe trafikantët e lidhur me kontrabandën, korrupsionin dhe drogën? Të gjitha këto priten të sqarohen dhe të gjejnë zgjidhje nga personat përgjegjës, për të cilët shqiptarët dhanë votën e tyre në 23 Qershor.