Riza Bregasi: Lamtumira ikona e arsimit, Lejla Zaimi

967
Sigal

Një lajm i trishtë që hidhëron pa masë në këtë mëngjes të sotëm dhjetori

U prehsh në paqe Lejla Zaimi! Do të respektojmë kujtimin tënd të bukur!

Një lajm i trishtë na hidhëroi pa masë në këtë mëngjes të sotëm dhjetori:është ndarë nga jeta Lejla Zaimi!Për gjithë bashkëqytetarët skraparas, beratas e më gjerë, Lejla përfaqëson femrën anvagarde të emancipimit, kulturës dhe dijes. Bashkëshortja e ikonës së arsimit skraparas që shtroi trasenë e arsimit të mesëm skraparas, Qani Zaimit, Mësues i Merituar, shpejt do të prezantonte profilin e saj si mësuese e dalluar dhe femër e qytetëruar që shpërndante miqësi, dashuri, respekt, buzëqeshje. Çifti Zaimi shpejt do të kthehej ndër qytetarët më të respektuar, jo vetëm për ish-nxënësit e brezave të ndryshëm, por dhe të prindërve, shoqërisë. Në Çorovodë Lejlaja erdhi si nuse nga Berati, prej një familje të ndjerè, në moshë të re,duke gjetur në vitet ’60 një ambient ku mbizotëronte ndjeshëm maskiliteti. Shpejt, duke punuar e aktivizuar në iniciativat e kohës, do të kontribuonte me zgjuarsi në krijimin e profilit të ri të femrës në familje, punë e shoqëri. Shoqet e kishin Laken emblemè të emancipimit. Në familjen tonë mëmë çifti Zaimi do të krijonte respekt të ndërsjellët me prindërit e mi, me hyrje-dalje të herëpashershme, ku do të përmendej edhe si një amvise krijuese. Çifti Zaimi do të lindte dhe edukonte fëmijë shembullorë. Duke u kërkuar falje gocave të respektuara të saj, Meritës, Renatës e Elonës, do të veçoja vëllain e tyre, Mondi Zaimi, mjekun me emër të mirë në kardiologjinë e QSUT “Nënë Tereza”. Jam i bindur që mëngjesi i sotëm ka sjellë një boshllëk të madh në qytetin tim të lindjes, për largimin nga kjo jetë të mësuese Lejla Zaimit. Kudo ku janë shpërndarë skraparasit, ku banoi për një kohë të gjatë dhe beratasit, ku ajo u lind, sot kanë nxjerrë nga shpirti i tyre ngushëllimin e sinqertë: U prehsh në paqe Lejla Zaimi! Do të respektojmë kujtimin tënd të bukur! Jetë e shëndet bashkëshortit, fëmijëve, nipërve dhe mbesave dhe gjithë të dashurve të tu!

Nga Riza Bregasi


Lejlaja ishte pikë referuese për në të gjitha për çdo problem

Ke shprehur me saktësi gazetareske edhe mendimin tonë si miq e kolegë të afërt të mësuese Lejlasë i dashur Riza. Sot na ka dhembur zemra se nuk do ndjejmë më fjalët e mençura, përvojën,humorin, dashurinë, lezetin e prezencës së mikes tonë të shtrenjtë. Jeta e tillë është, nuk i shmangim dot fenomenet e saj. Lejlaja jonë, Lakja siç i thoshim me miket e afërta, jetoi me dinjitet maksimal si nuse në Skrapar me nënonë e mrekullueshme, me bashkëshortin e saj, mikun tonë model, rriti dhe edukoi në mënyrë shembullore fëmijët e saj dhe breza nxënësish, na motivoi dhe na dha përvojë ne kolegëve në metoda mësimore por edhe për jetën familjare e shoqërore. Lejlaja ishte pikë referuese për në të gjitha për çdo problem. E kishim si motër të madhe se shumica jonë i kishim larg nënat dhe motrat tona. Vitet e fundit i kaloi e rrethuar me kujdes e dashuri nga djali i saj i mrekullueshëm dk. Mondi, nga dk.Ela, nusja që Lakja nuk e hiqte nga goja, “nuk e kam nuse po çupë” na thoshte ne shoqeve, nga vajzat, dhëndurët, nipër e mbesa. Mikja jonë iku nga kjo jetë e vlerësuar dhe e rrethuar me dashuri. Të prehet e paqtë siç ishte! Do mbetet përherë në mendjet dhe zemrat tona! Tatjana Bregu

—————————————

Humbje e madhe për gjithsecilin që e njohu Lejla Zaimin

Respekt për këtë familje shembullore që i kanë dhënë shumë shoqërisë sa e sa fëmijë ka edukuar dhe ju ka dhënë njohuri të sakta kjo mësuese ‘Ngushëllime familjes’!

Nga Mjaftoni Terpollari

Kujtimet tona do ta sjellin gjithmonë pranë

 

Lajmi për ndarjen nga jeta të një njeriu sjell gjithmonë një boshllëk vë shpirtin e gjithsekujt!. Por sot lajmi i ndarjes nga jeta e zonjës Leila Zaimi më trishtoi. Ndjeva një dhimbje që rrallë herë e kap provuar. Ajo grua fisnike, ajo nënë e mrekullueshme, më duhet ta pranoj, se nuk është më midis nesh. Humbje e madhe për gjithsecilin që e njohu e që e pa të rritet si njeri i aftë e këmbëngulës, në fushën e arsimit, të pandarë nga fusha e jetës. Ajo, LEJLAJA, më doli përpara si një trime. Nuk ish trembur kurrë nga asgjë. Punoi si heroinë dhe sidomos ishte një nënë e mrekullueshme. Edmont! O djalë i mrekullueshëm. Ty po të drejtohem. E di që je krenar për atë nënë të pashoqe. Por të mendoj të mërzitur, e të dëshpëruar. Ngrije kokën! Lejlaja nuk mund të ikë prej nesh, prej jush. Asnjë prej atyre që duam nuk mungon kurrë. Kujtimet tona do ta sjellin gjithmonë pranë dhe ajo do të gëzohet me gëzimet tona e do të marrë pjesë në to dhe, do të na shoqërojë gjithmonë. Nuk kemi për ta harruar kurrë. Ne dhe ata që do të vijnë pas nesh. Sepse nuk harrohet Lejlaja!Ajo do të rrojë në jetë të jetëve. Le të urojmë së bashku: I PËRJETSHËM KUJTIMI I SAJ!! Nga Ksenofon Dilo

——————————

Lamtumirë mësuesja dhe nderi i Skraparit Lejla Zaimi

Ngushëllime të sinqerta për një nga figurat dhe personalitetet e nderuara të Skraparit, Lejla Zaimi. Familja e Prof. Qani Zaimi do të mbetet në piedestalin e kulturës, qytetarisë dhe arsimit të Skraparit. Ngushëllime mësuesit tonë Qani, familjes dhe të afërmve. Anëtarët e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” ndjejnë një pikëllim të madh, për ndarjen nga jeta të mësueses, nënës dhe zonjës që ndihmoi dhe edukoi breza të tërë në qytetin e Skraparit. Edukata, kultura dhe fisnikëria e familjes Zaimi, e mishëruar tek virtytet e mësueses sonë të shtrenjtë Lejla Zaimi do të mbeten përjetësisht në kujtesën e të gjithëve duke shërbyer si shembull, bashkimi, vëllazërimi dhe mirësie. Zoti e bekoftë!

Nga Engjëll Musai

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

————————————

Njoftim i Familjes Zaimi !

Sot ndërroi jetë nëna jonë e shtrenjtë Lejla Zaimi. I qoftë i lehtë dheu! Varrimi bëhet nesër, të premten dt 6 dhjetor, ora 11.00 në varrezat e Sharrës