Rikthehet viti ‘97-ta në Tiranë, katër ‘Babagjysha’ grabisin TEG-un

431
Sigal

TIRANË/Grabitja spektakolare në katin e dytë të TEG, Qytetarët: Ministri Tahiri të na sigurojë jetën!

Krimi dhe pasiguria kthehen në format më tmerruese në kryeqytet, duke i bërë sfidë policisë që numëron ‘sukseset’, e duke u kujtuar qytetarëve të shumtë skenat makabër të trazirave të vitit 1997. Në mes të qindra personave, në një nga komplekset tregtare më të mëdhenj në vend, në Tiranë, katër persona të veshur si Babagjyshat e Vitit të Ri, të armatosur ‘deri në dhëmbë’ me kallashë e jo me arma-lodër, grabisin, marrin dhe një automjet e pasi largohen, i vënë zjarrin makinës. Ndërsa policët e ministrit Saimir Tahiri, vijnë si rëndom këto kohë, nisin bëjnë inventarin, e në fund, pas disa orësh, mjaftohen me njoftimin se, ‘kemi shoqëruar një të dyshuar’. Panikun pas kësaj ngjarje të orëve të mbrëmjes së djeshme, e shprehu me pak fjalë një qytetar i terrorizuar. “Ngelëm vetëm të mbyllemi në shtëpi. Të paktën, ministri Tahiri të ketë sa më pak telashe! Të paktën të na thotë Tahiri se ku jeta jonë është e sigurt”.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 17:25 të ditës së djeshme. Burime për “Telegraf” thonë se, katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në një qendër tregtare në kryeqytet, ndërsa një i tretë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi. Të njëjtat burime shtojnë dhe detaje të kësaj grabitje. “Grabitja e rrallë ndodhi në dyqanin e argjendarisë ‘Xhelozia’ në qendrën tregtare ‘TEG’ në periferi të Tiranës, në një kohë, kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar terror e panik tek ata. Me automjetin tip “Benz” me targa AA147 FY, katër grabitësit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira”,-shtojnë burimet e mësipërme.

PAS NGJARJES

Burime të policisë pohuan se, pas një ore ndalohet një person i dyshuar mbi ngjarjen, i cili dyshohet se ka lidhje me makinën e përdorur nga grabitësit. Ndalimi i tij është bërë në rrugën “Don Bosko” në Tiranë

dhe po merret në pyetje në Komisariatin e Policisë nr.3. Njëkohësisht, automjeti tip “Benz” me targa AA147 FY, me të cilët tre grabitësit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit. Mësohet gjithashtu se, grabitësit “Babagjyshër..”, nën kërcënimin e armëve kanë grabitur në katin e dytë të TEG një sasi bizhuterish dhe një shumë të konsiderueshme parash.