Rikthehen revoltat e trazirat në Lazarat, tre policë të plagosur

393
Sigal

Nisi me protestë të nxënësve kundër prezencës non-stop të bluve. Policia: Inskenim nga njerëz të inkriminuar e disa mësues. PD: Blutë dhunuan një gjimnazist

Banorët e Lazaratit kanë dalë në protestë kundër pranisë së policisë në këtë fshat, që sipas tyre, ata duhet të largohen. Gjithçka nisi pasi policët që ndodheshin në qendër të fshatit janë sulmuar nga një grup, duke qëlluar me mjete rrethanore dhe gurë mbi automjetet e policisë. Disa automjete të policisë janë dëmtuar rëndë. Tre policë janë plagosur njëri në fytyrë dhe dy të tjerë në pjesë të ndryshme. Situata është tensionuar për disa minuta, ndërsa gjimnazistët janë ndihmuar edhe nga banorët e fshatit. Forcat e policisë pas largimit disa minutash janë rikthyer në fshat duke nisur kontrollet si dhe kanë shoqëruar edhe disa persona. I pranishëm ishte edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për rendin dhe sigurinë, Altin Qato. Nga burimet e orëve të vona të mbrëmjes së djeshme konfirmohet se janë arrestuar 19 persona, mes tyre dhe dy gra. Prej disa muajsh në fshatin Lazarat ka prani të shtuar të forcave, të cilat qëndruan aty në përfundim të aksionit për shkatërrimin e parcelave me hashash. Për këtë, mbi 100 persona janë arrestuar nga policia në këtë aksion dhe i gjithë fshati është nen kontrolle te vazhdueshme për kapjen e personave te tjerë qe u identifikuan si sulmues me arme te policisë. Në orët e vona të mbrëmjes, për ngjarjen e djeshme, policia ka pohuar se ishte një skenar i përgatitur nga njerëz të inkriminuar dhe disa mësues që shfrytëzuan nxënësit e shkollës.

POLICIA: NXËNËSIT U PËRDORËN
Pas hetimit paraprak e shoqërimit të 19 personave (dy gra), policia ka dhënë dhe detaje të ngjarjes. “Persona me precedent kriminalë që u është cenuar dhe goditur interesi e veprimtaria e tyre kriminale po i përdorin nxënësit për qëllimet e tyre kriminale”. Ky është përfundimi i policisë së Gjirokastrës për incidentin e ndodhur në fshatin Lazarat, ku disa nxënës sulmuan me gurë forcat e FNSH-së. Policia e Gjirokastrës thotë janë shoqëruar 19 persona ndërmjet tyre dy femra si dhe po punohet për shoqërimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Në njoftimin e policisë theksohet gjithashtu se, ka informacione se disa prej mësueseve janë nxitës të këtyre veprimeve.
“Garantojmë banorët e ndershëm të fshatit Lazarat se Policia e Shtetit do jetë përherë prezent në këtë fshat dhe në çdo cep të territorit të vendit me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë dhe goditjen pa kompromis të veprimtarisë kriminale të çdo fushe e kudo që ajo do shfaqet”, theksohet në njoftimin e policisë. Duke bërë thirrje për që të gjithë të jenë të ndërgjegjshëm për veprimet që bëjnë, pasi do të ndëshkohen, policia e Gjirokastrës rikujton se ligji vepron njëlloj edhe ndaj atyre që nën imunitetin e përfaqësimit politik apo të pushtetit nxisin apo organizojnë veprime kundër ligjit.
VERSIONI ZYRTAR I NGJARJES
Policia, mbrëmë ka dhënë dhe versionin e saj për ngjarjen. Rreth orës 13:30, rreth 50 deri në 60 nxënës të shkollës 9 -vjeçare në Lazarat, ku ndërmjet tyre ka pasur edhe nxënës të shkollës së mesme të bashkuar ‘Muhamet Gjollesha’ Lazarat kanë shkuar në qendër të fshatit Lazarat dhe menjëherë kanë filluar të gjuajnë me domate, vezë dhe më pas me gurë makinën e FNSH-së dhe punonjësit policisë të Repartit të FNSH-së që kryenin shërbim në qendër të fshatit Lazarat. Nxënësit kanë fyer dhe ofenduar punonjësit e policisë duke kërkuar që policia të largohet nga fshati. Punonjësit e policisë të repartit të FNSH-së nuk kanë reaguar por janë munduar t’i qetësojnë nxënësit duke parë moshën e tyre. Në ndihmë të grupit të FNSH-së, kanë shkuar dy patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër , Shefi i Rendit she Shefi i Policisë Kriminale dhe forca të tjera të Policisë. Në momentin që forcat e tjera të policisë kanë mbërritur në qendër të fshatit, nxënësit e shkollës Muhamet Gjollesha, ku ndërmjet tyre u futën edhe gra me precedentë kriminale që në vitin 1998 kanë gjuajtur me armë mbi policinë, si dhe familjarë të të arrestuarave që kanë kundërshtuar me armë policinë gjatë Operacionit anti-kanabis të zhvilluar gjatë muajit Qershor në Lazarat, kanë sulmuar me gurë forcat e policisë dhe automjetet e policisë. Si pasojë e sulmit me gurë janë plagosur lehtë tre punonjës policie dhe janë dëmtuar dy automjete të policisë. Nisur nga situata e krijuar në qendër të fshatit në ndihmë të forcave të policisë janë nisur edhe forca të tjera të policisë. Nxënësit dhe ata banorë që u përfshinë në sulmin me gurë ndaj Policisë janë shpërndarë dhe më pas situata është qetësuar.

PD E GJIROKASTRËS

Tjetër version jep dega lokale e PD-së, Gjirokastër. Pas dhunimit të uniformave blu dhe dëmtimit të tre automjeteve nga të rinjtë e Lazaratit, faqja në rrjetin social Facebook “Fshati Lazarat Të gjithë e njohim” e cila moderohet nga Roland Bejko kreu i sapozgjedhur i PD-së në Lazarat, ka një version për ngjarjen. Sipas tij, incidenti ka ndodhur pasi një gjimnazist me iniciale E.M është diskriminuar nga uniformat blu. Ndërkohë, zëvendës drejtori Altin Qato sqaron se, situata është e qetë dhe gjithçka ka ndodhur pas një goditje të pajustifikuar të policëve në fshat ka persona me precedent penal që janë identifikuar. Version i Bejkos dhe pse kundërshtohet nga policia, nuk ndihmon për momentin për qetësimin e situatës.