Rifat Bushi: Djalin ma terrorizuan në Komisariatin 5

543
Adoleshenti Artan Bushi u raportua i vdekur nga policia më 15 shtator 2015. Versionet paraprake qenë të shumta, mes tyre edhe ai i vetvrasjes. Por pa u mbushur mirë java nga ngjarja, i ati i Artanit, Rifat Bushi drejton gishtin drejt policëve të Komisariatit Nr.5, të cilët i quan fajtorë për vdekjen e të birit.
Rifati atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Ka marrë një telefonatë nga e shoqja, e cila e vinte në dijeni se Artani kishte qenë i dhunshëm me motrën më të vogël dhe se e kishte denoncuar pranë këtij komisariati.
“Vjen shefi i zonës dhe ma merr djalin në rrugë dhe e drejton për në komisariatin e Kamzës. Atje i kanë ushtruar dhunë. Më pas e lirojnë dhe i thonë që të bëhet gati për në orën 20:00, pasi do vinin ta merrnin ‘dhe nuk do të lëshojmë më’, i thanë. Më pas tentojnë ta frikësojnë djalin duke i thënë: Do të fusim në bodrum. Dhe kjo bisedë është dëgjuar edhe nga këmbësorët. Në ato momente djali kalon në depresion. Më pas ai futet në një mjedis lojërash fati. Dikush e pyet se çfarë kishte dhe djali i përgjigjet se po e ndjek policia. Aty e kishin bllokuar menjëherë dy policë. Në këtë mënyrë, djali nuk kishte rrugë të mesme vetëm se të futej mes dy pallateve ku ka ndodhur edhe ngjarja. Nga frika, djali aty kaloi në depresion. Menjëherë ai është ngjitur në tarracën e katit të pestë të pallatit. Djali ishte kapur në një pllakë, e cila i është shkëputur dhe më pas ka rënë në mes të rrugës”, shprehet i ati i Artanit, Rifati.
Versionin se i biri mund të jetë vetvrarë, e mohon me këmbëngulje. “Në asnjë mënyrë. Kjo ka ardhur nga ndjekja e policëve të Komisariatit të Kamzës”. Babai i Artanit ka ankesa edhe për mënyrën se si ka proceduar policia pas ngjarjes. “Ndihma i ka ardhur me vonesë. Ka ardhur ambulanca dhe e kanë dërguar në spital, ndërsa kanë ardhur dy polica që kanë vendosur shirita, por nuk kanë kryer asnjë hetim. Sikur të ishte një zog”. E mundon shumë fakti që i biri, vetëm 16 vjeç, u trajtua si një kriminel. “Në vend që të ndjekin kriminelët, ndjekin një adoleshent të pafuqishëm”, shprehet Rifati. Rifat Bushi thotë se dyshimeve të tij do t’u shkojë deri në fund. “Do ta ndjek deri në fund. Unë nuk e lë atë fëmijë në atë botë që të thotë paskam lindur pa prindër”.
Sigal