Rekrutonin luftëtarë për në Siri, në pranga 2 imamë e 5 besimtarë

829
Sigal

Rekrutimet për Siri, 7 persona prangosen në xhami. Besimtari: Luftë ndaj islamit!

Rekrutonin luftëtarë për në Siri, por janë identifikuar si të tillë dhe dje vihen në pranga nga policia e Tiranës. Burimet zyrtare policore konfirmojnë se, janë vënë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe 2 imam xhamie, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri. Të ndaluarve iu janë gjetur armë zjarri që dyshohet se, do përdoreshin për luftën në Siri. Arrestimet janë kryer në një xhami tek Unaza e Re e Tiranës. Mësohet se, të arrestuar janë, Genc Balla, imam në xhaminë e Unazës së re, Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mzezit, Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Myslimani, Zeqir Imeri dhe Almir Daçi.

DETAJET E PROKURORISË

Eugen Beci, Prokuror i Krimeve të Renda, bëri me dije gjatë një konference për shtyp se, është finalizuar operacioni me arrestimin e 7 personave, dy imamë xhamie dhe 5 besimtareve, pas një operacioni të FNSH-së dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shtrirë në disa qytete të vendit… Në kuadër të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, me mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme, janë arrestuar shtatë persona, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri. “Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurisë për personat e mëposhtëm:
1 .Genci Sami Balla, i datëlindjes 1979, lindur e banues në Librazhd, me arsim të lartë, i vetëshpallur Imam i Xhamisë tek Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman, që është organizator.

2- Bujar Asllan Hysa, i datëlindjes 1971, lindur ne fshatin Bastar, Tiranë e banues në Mëzez, Tiranë, me arsim të mesëm, i vetëshpallur Imam i Xhamisë së Mëzezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar,(Organizator). Në banesën e këtij u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: -Dy aparate telefoni celular,

-Disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik,

– kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë
-Disa libra fetarë, mes të cilëve Libri ‘Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera’… Në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën: Tre Njësi kompjuteri, çantë ushtarake kamuflazhi, dy telefona celular,15 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

3-Edmond Shaban Balla, i datëlindjes 1989, lindur e banues në Elbasan, Lagja ‘Skënderbej’. (Organizator).

4-Zeqir Isuf Imeri, i datëlindjes. 1980, lindur në Dibër e banues në Rruga ‘Xhaferri’, Yrshek, Tiranë, me arsim 8 vjeçar. (Organizator, pjesëmarrës). Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 8 telefona celularë, 2 karta telefoni, një granade ofensive e pa montuar, një kallashnikov, 4 krehra automatiku. 320 fishekë,
5. Verdi Dielli Morava, i datëlindjes 1966, lindur e banues në Rr. ‘Hoxha Tasim’, Tiranë, me arsim të mesëm. (Financues).

6. Fadil Adem Muslimani (Dervishi), i datëlindjes 1961, lindur e banues ne Elbasan, Lagja “5 Maji”, me arsim 8 vjecar. (Ndihmës)
7. Astrit Hajdar Tola, i datëlindjen 1972, lindur ne Dibër e banues në Mëzez – Tiranë, (Ndihmës). Në banesën e tij u gjet Një çifte 12 fishekë, 11CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe, një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë, një uniformë ushtarake”-komunikoi prokurori.
AKUZAT
Më tej, Prokurori Eugen Beci, komunikoi dhe disa akuza. “Të gjithë këta persona akuzohen për veprat penale të ‘Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste’; të ‘Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste’, dhe të ‘Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve… Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se, kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se, kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri. Ndërsa Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se, kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri…”- pohoi prokurori Beci. Ndërkohë, bëhet e ditur se, pesë persona të tjerë, pjesë e këtij grupi, janë shpallur në kërkim nga policia.

REAGIMI I KMSH

Sipas KMSH, të arrestuarit nuk janë punonjës të komunitetit. “Nisur nga lajmet e sotme për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se, personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman.  Komuniteti Mysliman e ka bërë të ditur edhe më parë qëndrimin e tij për mos përfshirjen e besimtarëve shqiptarë në konfliktin sirian”,- thuhet në njoftimin e KMSH-së.