Refugjatët sirianë dynden përditë në Shqipëri, dje u kapën 6 në Kapshticë

586
Sigal

Drejt Shqipërisë dynden përditë me dhjetëra refugjatë sirianë dhe irakianë, të cilët gjenden në Greqi. Dje, policia bën me dije se policia kufitare ka kapur në hyrje të qytetit të Bilishtit gjashtë klandestinë të huaj. Në njoftimin e policisë thuhet: Më datë 22.08.2018, në hyrjen e qytetit të Bilisht, shërbimet e kufirit, kapën 6 shtetas të huaj, të cilët kanë kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Këta shtetas në përfundim të procedurave përkatëse do të dërgohen në kampet azilkërkues në Babru. Deri tani, nëse u referohemi vetëm statistikave ditore të Policisë së Shtetit, gjatë këtij viti kanë ardhur mbi 2 mijë refugjatë. Këta mbahen të gjithë në qendrat azil-kërkuese në Babru, sepse shteti ynë nuk mund t’i dërgojë asgjëkund, ndërsa Greqia nuk pranon më që këta refugjatë sirianë të rikthehen në Greqi. Ndoshta qeveria shqiptare, në heshtje, zbaton marrëveshjet që ka nënshkruar me shtetet e BE-së që të (mirë)presë refugjatë sirianë dhe irakianë, në qendrat që i ka quajtur “azilkërkues”. Shqipëria nuk është në BE dhe nuk mund të japë asnjë dokument të azilit politik ndaj refugjatëve të luftës në Siri dhe Irak, por as këta refugjatë nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri, sepse ata kërkojnë rrugë për të shkuar drejt Gjermanisë dhe Suedisë. Mirëpo, Mali i Zi ka dërguar ushtrinë e tij në kufi me Shqipërinë, Kroacia dhe Bosnja kanë mbyllur kufijtë, kështu që refugjatët sirianë, do të qëndrojnë pa afat në Shqipëri, siç ka kërkuar edhe disa shtete të BE-së. Natyrisht, shpenzimet e refugjatëve sirianë në kampet e azilkërkuesve në Shqipëri, i përballon …BE-ja. Thjesht çdo gjë kalon në heshtje, për të mos ngjallur reagime publike nga shqiptarët.