Rakipe Karaj: Puna me fëmijët është sa e bukur por dhe e vështirë

961
Ajo është nga qyjeti jonë i vogël i Librazhdit e kujton dhe sot me shumë mall dhe pse kan kaluar shumë vite që është larguar. Nga ky qytet Rakipe Karaj ka nisur rrugëtimin e saj të artit për ta vazhduar më pas në rrethin e Krujës pikërisht në Fushë Krujë. Tashmë këngëtarja me zë të rrallë e sytë si kristal, jeton në qytetin e vogël prej shumë vitesh, bashkë me bashkëshortin dhe dashurinë e madhe të jetës së saj, kompozitorin e mirënjohur, Ylli Kalaja dhe dy djemtë e saj. Rakipe Karaj është nga të paktët artistë, që me punën e tyre, kanë ngritur lart prestigjin e këtij qyteti të vogël, por që ka nxjerrë e vazhdon të prodhojë, shumë talente në art. Në një intervistë për gazeten “ Telegraf” Rakipja na tregon me shumë nostalgji vitet e arta që ka kaluar në Librazhd, tregon me çdo detaj se si ka filluar rrugën e muzikës filimish me aktivitete në shtëpinë Kulturës Librazhd e më pas duke studjuar në akademin e arteve. Gjiathstu Rakipja na tregon per martesën me kompozitorin Ylli Kalaja si dhe motivin, pse e hoqën nga QKF në Fushë Krujë që e drejtonte prej vitesh. 

Ju jeni nga qyteti i Librazhdit, çfarë kujtoni nga ai qytet? 
“Librazhdi është qyteti zemrës, i fëmijërisë sime, i njerëzve më të dashur të familjes, prindërit, vëllezërit, motrat, të afërmit, shokët, shoqet, aktivitet e bukura e të shumta. Një qytet i vogël po me njerëz të mëdhenj. E them këtë, sepse ka një popull të shkëlqyer, punëtor, artëdashës, të dashur e shumë paqësor, me një shpirt të madh. Kam kaluar një fëmijëri të bukur, ku shkëndijat e para si talent i kam në moshë të vogël. E kujtoj me shumë mall e nostalgji klasën e parë dhe mesuesen Kaftanaze Kokën deri në klasë të katërt. Më pas tetëvjeçaren me një brez mësuesish të shkëlqyer, të përkushtuar për mësimdhënijen, njohuritë për dije, përulem para tyre me shumë respekt e mirënjohje, ndoshta do ishte mirë t’i përmendja të gjithë emër për emër.” 

Kur ka nisur rrugëtimi yt në muzikë dhe si lindi muzika tek ti?
“Rrugëtimi im ka nisur shumë e vogël, kur këndoja në festivalet e pionierëve kështu quheshin në atë kohë, festivalet e fëmijëve sot. Kam pasur fatin të këndoj këngë të autorëve të ndryshëm, kam marrë çmime të ndyshme. Me kalimin e viteve më pas aktivizohesha dhe në shtëpinë e kulturës ku udhëheqës artistik ka qenë këngëtari i mirënjohur Sherif Merdani, kam pasur fatin të punoj me të, e të përfitoj shumë. Këto u pasuan me shumë llojshmëri aktivitetesh të tjera, estrada me humor e këngë premierë, tip anketash muzikore ku konkurronim me këngë të ndryshme dhe garues mes këngëtareve, do përmend grupin e vajzave të Prrenjasit me një vokal të shkëlqyer dhe grupin më modern për kohën, kjo falë punës së tij këngëtarit Sherif Merdani, por më pas ai u ndëshkua për shfaqje të huaja dhe mori dënimin e kohëve të hidhura për të. Më pas na vjen nga Elbasani Xhavid Cërriku, i cili i binte Fizarmonikës dhe drejtonte sektorin e muzikës, prej ketej mora pjesë në konkurs për të vazhduar shkollën e mesme të muzikës në Tiranë. Këtu spikati talenti im. Vazhdoj studimet e larta për kanto në Institutit e Lartë të Arteve si soprano lirike me pedagoge Edit Mihali, nga ku marr pjesë në Koncertet e Majit me Orkestrën e RTSH. Ka qënë një periudhë e ngarkuar dhe me shumë intensitet i aktiviteteve të bukura në Tiranë, por dhe në vendlindjen time Librazhd sipas nevojave që kishin. I kujtoj me shumë nostalgji dhe mall për gamën e aktiviteteve, sepse arti vlersohej dhe çmohej shumë, kishte një rëndësi të veçantë. I kushtohej shumë rëndësi festivalit folkorik të Gjirokastrës, takimi i ansambleve të klasës punëtore me amatorët, konkurrimi i estradave të ndryshme midis trupave, teatrot, edhe pse tek ne në qytetin tonë kishte amatorë më shumë se sa profesionist, por përkushtimi i regjisorëve ishte në mamksimum për të arritur atë që donin. Ndërsa tani është kthyer arti në komercial, me gjithë rezervat e mia që kam për këtë periudhë ku arti nuk gjen mbështetje, nuk investohen për të, për të thënë që po shkon drejt shkrijes dhe të institucioneve kryesore, le të mendosh për këngën pop, festivalet që nuk ekzistojnë, e kam fjalën për këngën pop të pastër, të virgjër, pa huazime e kopjime.”

Në sa festivale keni marrë pjesë dhe a jeni nderuar me çmime? 
“Kam marrë pjesë fillimishtë një konkurs të zërave të rinj ku fitova Çmimin e parë, organizuar nga Pallati i Kulturës Tiranë, ku merrnin pjesë të gjithë shkollat e mesme të Tiranës. Dhe viti 1979 shënon pjesmarrjen time në anketat muzikore me vende të para si dueti “O Devoll i bukur shumë” kënduar duet me këngëtarin lirik Gjergj Suloiti, teksti Dritëro Agolli, fitues i vendit të parë, sipas vlerësimit të dëgjuesve dhe letrave që dërgonin në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Përsëri vend të parë me këngën e Naim Gjoshit “3 letra në kufi”. Mbas këtyre çmimeve dhe suksesi të merituar arrita të marr pjesë në festivalin e 16-të të këngës së muzikës së lehtë në RTSH, ku jam nderuar me çmimin e 3-të, muzika Naim Gjoshi, teksti Zaho Puçi, kënga me titull “Ne te dy” kënduar nga unë me orkestrën popullore e temperuar dhe nga Eduard Jubani. Festivali i 17-të marr pjesë me këngën e kompozitorit Tish Daija, kënga “Kalaja e festivalit” dhe Liljana Kondakçi, këngët kanë qenë me dy dubla. Në Festivalin e 18-të këndoj këngën e Josif Mingës “Më thonë shoqet” në dublim me Bashkim Alibalin. Festivali 19-të “Drita e Partisë” kompozuar nga Simon Gjoni, dublim me Kozma Dushin. Festivali 20-të kompozuar nga Sabri Nushi kënga me titull “Seç më fton në stan”. 

Ju jeni bashkëshortja e kompozitorit ose artisti Ylli Kalaja. Çdo të thotë që një çift të jenë në një rrugëtim të përbashkët?
Martesa me kompozitorin Ylli Kalaja bëri që ta vazhdoj aktivitetin tim në rrethin e Krujës. Fillimisht si mësuese e edukimit muzikor në shkollën 8-vjeçare për disa vite me radhë. Përsëri aktivitetet vazhdonin si këngëtare pa u shkëputur për asnjë çast në festivalet e muzikës së lehtë në Krujë, Laç, Durrës dhe sipas ftesave të ndryshme në RTAH ose jashtë kufijve në diasporë si Amerikë, Gjermani, Austri, Francë, Zvicër, Kosovë, Maqedoni, Itali e tjerë. Dhe në planin personal por dhe me femijët këngëtarë që marrin pjesë në festivalet e ndryshme për fëmijë.” 

Prej vitesh keni drejtuar Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Fushë-Krujë cilat kanë qënë vërshtërsitë dhe të mirat e kësaj pune ? 
“Puna me fëmijët është sa e bukur, po aq dhe e vështirë. Gjithsesi në 2005 emërohem Drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Fushë Krujë. Një punë kolosale duke e ndërtuar nga e para gjithçka, mbasi nuk ekzistonte. U ngritën grupet e fëmijëve simbas dëshirës së tyre për të shprehur talentin në fusha përkatëse, si grupi i kantos që drejtohej nga unë, grupi i valleve, grupi i piktorëve të vegjël dhe sportit, i cili është shumë masiv. Qytetet e vogla kanë talente të mëdhenj. Grupi i parë i fëmijëve të kantos ka pasur talente të shumtë, të cilët sot deputojnë në skena gjigante të këngës lirike. Me krenari do pëmend emrin e sopranos lirike, fituese e çmimit “Marie Kraja” në festivalin operistik të Zana Çelës, Enkeleda Kamani, hapat e para i ka nga kjo skenë e Fushë Krujës, nxënësja ime ku fillesat, mësimet e para të kantos i ka nga unë, sot fituese për të vazhduar studimet në Operën e La Skala në Itali. Semi Jaupaj këngëtare e muzikës së lehtë në RTSH, Kënga Mmagjike, Top Fest dhe ne kompeticionet TV Klan, The Voice fitueses dhe një ndër zërat më të bukur, Andi Stafuka edhe ky i njohur në kompeticione, festivale të muzikës së lehtë, Enea Cerashi student në Akademi, Kejti Karaj master Gjermani soprane lirike, dhe nxënëse që vazhdojnë në lice kam nxënës që po vazhdojnë të përgatiten për në lice. Fëmijët marrin pjesë në festivale e ndryshme për femijë brenda dhe jashtë kufijëve, në festivale mbarëkombëtare në Shkodër. Bëhet punë kolosale nga të dy. Kam pasur fatin e mirë që dhe bashkëshorti është kompozitor i suksesshëm i këngës për fëmijë, ku i ka provuar të gjitha çmimet të para, të dyta, të treta, brenda kufijve, por dhe jashtë kufijve deri në diasporë. Ky fakt më gëzon shumë, sepse ne jemi ekip i kompletuar si familje. Ky Auloni, djali im shkruan tekstet, ylli kompozitor, dhe unë këngëtare. I falënderoj për këngët e bukura me të cilat kam bërë dhe një album timin dhe për herë të parë promovimin e tij e bëra në Amerikë dhe kopjet e para i ndava atje për miq e shokë. Dhe në Fushë Krujë e Krujë u bë promovimi i diskut të Yllit me këngë për fëmijë dhe i diskut tim me tekstet nga Aulon Kalaja, muzika Ylli Kalaja, orkestruesi i këngëve të mija Roland Guli. Dy këngë të albumit janë prezantuar tek TV Klan “Kënga ime” bashkëpunim i shkëlqyer me grupin e Pleqëve të Krujës, një risi e bukur në këngën qytetare të Krujës e sjell në kohë dhe me shumë mjeshtëri nga Ylli.” 

Nën kujdesin tuaj, shumë talente të reja, po shikojnë suksesin. Kjo ju jep krenari?
“Kam mbi 25 vjet aktivitet dhe kam pasur fat të kem në duar elemente shumë të talentuar, prindërit e të cilëve më kanë besuar fëmijët. Ndihem mjaft e lumtur dhe krenare për ta dhe për këtë qytet të vogël, që është kaq i pasur me talente! Unë, për të lënë gjurmë në këtë qytet, do të punoj sa të kem frymë! Gjithashtu jam krenare që ne bashkëpunojmë fort edhe me Kosovën e Maqedoninë! Jemi në juri në shumë aktivitete që zhvillohen atje, çdo vit. Të them të drejtën, ka një seriozitet dhe vlerësim shumë të madh, nga ana tjetër e kufirit, për punën me fëmijët si e ardhmja e vendit. 

Ju keni dy vite që gjithashtu jeni larguar nga drejtoresha e QKF Fushë Krujë. Pse ndodhi kjo dhe me çfarë merreni aktualisht?
“Më keqardhje e them, edhe pse nuk do doja të shkruanit për të. Realiteti i heqjes sime nga puna është sa për të qarë dhe për të qeshur. Dihet se pse largohen njerëzit nga puna. Motivacioni i heqjes nga puna është “Rikonstruksioni i QKF së Fush Krujë”, besoj se ky motivacion është i turpshëm dhe i pa justifikuar nga kjo administratë. Me 38 vite gjithsej, punë në Librazhd dhe më pas në rrethin e Krujës. Kuptohet titullarët ose drejtorët i quajnë politikë dhe pse unë nuk kam lidhje me asnjë lloj partie. Po më e turpshme është nga Zyra Arsimore që as mësuese nuk e meritoja. Unë jam artiste me një kontribut të çmuar, i shërbej komunitetit ku jetoj, punoj me fëmijët talent në edukimin e tyre, për të bërë dicka me ta, të shpalosin talentin dhe të ecin përpara drejt formimit të tyre të plotë. Ky është qëllimi im të lë gjurmë tek brezat, ku brezi t’ia trashëgoj brezit për të ruajtur e trashëguar vlerat, traditat më të mira të kombit.”

Intervistoi, Era Çela
Sigal