Provimi i maturës, drejtori i Rendit: 560 punonjës policie në gadishmëri të plotë në të gjithë vendin

476
Sigal

Drejtori i Rendit, Albert Dervishi në një konferencë për shtyp ditën e sotme nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” tha se policia e shtetit është vënë në gadishmëri të plotë për mbarëvajtjen e provimit të parë të Maturës Shtetërore ditën e sotme.

Dervishi tha se në qendrat e kontrollit të provimeve, në 206 shkolla të mesme në të gjithë vendin janë angazhuar 560 punonjës policie.

“Janë marrë në ruajtje qendrat e kontrollit të provimeve ku do ketë punonjës policie 24 orë që do garantojnë veprimtarinë normale të këtyre institucioneve.

Nga dita e sotme kur do të zhvillohet provimi i 206 shkolla të mesme, janë të angazhuar 560 punonjës policie e 40 automjete që asistojnë rregullin e qetësinë në ambjentet e shkollës.

Të bëhet efektiv rendi e qetësia publike në shkolla  që të kemi situatë normale të procesit mësimor. Policia e Shtetit po përballon detyrat e veta në garantimin e provimeve, por nuk kemi lënë pas shkollave që vazhdojnë aktivitetin deri në përfundim të sezonit për këtë vit,” tha Dervishi.

Sot zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore ku rreth 37000 maturantë do të testojnë njohuritë e tyre në gjuhët e huaja. Testimi nis në orën 10.00 dhe zgjat për 2 orë e 30 minuta. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë dhe ka 25 pyetje, 13 pyetje plotësohen me alternative dhe 12 me zhvillim.