Protestë në sheshin “Skënderbej” për lirimin e Ismail Morinës

403
Ismail Morina, i njohur ndryshe si Ballisti, autori i ngritjes së dronit në Beograd, u la në burg pasi u ndalua para ndeshjes Shqipëri-Serbi, sepse lëvizte i armatosur. Vetë tifozi i kuqezinjve ka kërkuar falje për situatën e krijuar dhe avokati i tij është shprehur se arma ishte për vetëmbrojtje dhe duhet të trajtohet si një rast i veçantë nga drejtësia, por kjo nuk u mor parasysh. Reagimi qytetar për arrestimin e Morinës ka qenë i ndjeshëm gjatë këtyre ditëve, madje edhe ish-kryeministri Berisha ka reaguar në rrjetin social “Facebook”. Në mbështetje të Ismail Morinës, mesditën e sotme dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin Skënderbej, për të kërkuar lirimin e tij, duke theksuar se Ballist Morina bëri krenar çdo shqiptar, kur ngriti dronin mbi stadiumin e Beogardit.

Njoftimi për tubimin është njoftuar në rrjetet sociale: “Ditën e diel, i gjithë populli shqiptar të mblidhet në Tiranë në orën 12:00 për Ismail Morinën, (Ballisti). Ai që e ndjen veten shqiptar dhe që është i pashterur nga serbët duhet të jetë në protestë ditën e diel tek sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë. Lajmëroni shokë, familjarë, vajza, djem, vetëm kështu mund t’i fitojmë të drejtat tona si komb”, – thuhet në njoftim.
Sigal