Protesta për shkollën në Mengël, hapet pas 6 orësh rruga Elbasan-Librazhd

460
Sigal

Vijon protesta në ditën e 12-të të saj për hapjen e shkollës Mengël në Elbasan. Nxënës por edhe banorë kanë vendosur që të bllokojnë aksin Elbasan-Librazhd. Bllokimi i rrugës ka krijuar trafik deri në 10 kilometra duke krijuar dhe tensione midis protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve. Ndërkohë që forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje. Fëmijët shprehen se duan të hapet shkolla: Le të hapet shkolla jonë. Duam mësim! Që nga nisja e sezonit të ri shkollor fëmijët nuk bëjnë mësim, për shkak se shkolla është mbyllur për t’iu nënshtruar rikonstruksionit. Ndërkohë një nga nxënëset shprehet se duan që shkolla të hapet, pasi nuk duan të shkojnë në Elbasan të bëjnë mësim, sepse është larg. Por më vonë vonë prindër e nxënës, që protestonin për shkollën e mbyllur në Mengël të Elbasanit, vendosën të lironin aksin Elbasan-Librazhd dhe thanë se do të protestonin sërish të mërkurën. Më herët, gjatë ditës, radhë të gjata me automjete dhe drejtues të zemëruar nga vonesa u krijuan në këtë aks për disa orë. Zyrtarët thonë se godina e shkollës është e rrezikshme, pasi ka pësuar dëme nga tërmeti i vitit të kaluar. Por megjithëse u është ofruar transporti falas për të ndjekur shkollën në Elbasan, prindërit nuk e pranojnë këtë zgjidhje. Që kur nisi ky vit shkollor, nxënësit me çanta në shpinë mblidhen para shkollës, ku madje prindërit e tyre hapën me forcë dyert e ndërtesës pak ditë më parë.