Prostitucion, armë dhe drogë, policia italiane i vë drynin klubit pas vrasjes së shqiptarit

526
Një klub nate në Cologno al Serio, i quajtur “Occhio di Ra”, është mbyllur nga karabinierët e Treviglio, në kulmin e një hetimi që ka çuar në hetimin e 10 personave, të akuzuar për favorizim prostitucioni, në rrethana të rënduara, shpërndarje droge, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje në banesa.
Lokali i hapur 7 vjet më parë është bërë edhe në të kaluarën skenë krimi, pas një shkëmbimi të shtënash dhe ishte vendosur në sekuestro preventive.
Drejtuesi, C.F., 50 vjeç, nga Cavernago, ish-agjent i policisë së burgut, ka përfunduar pas hekurave, bashkëpunëtorja e tij G.M., 26 vjeç në arrest shtëpie, ndërsa F.C., 38 vjeç, ka marrë një masë më të lehtë.
Shtatë persona të tjerë, italianë, rumunë dhe shqiptarë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë pas urdhrit të gjykatëses Marina Cavalieri, me kërkesë të prokurorit Fabio Pelosi.
Operacioni ka angazhuar karabinierët e kompanisë së Treviglios dhe të stacionit të Urgnano, që prej dy vjetësh mbanin nën vëzhgim lokalin. Hetimi kishte nisur pas vrasjes së një të riu shqiptar, Arben Vorfi, 29 vjeç, i vrarë në një banesë në Treviglio në nëntor të vitit 2015.
Duke hetuar për këtë çështje, në të cilën autori i dyshuar, një tjetër shqiptar, u vra më pas në Monza, karabinierët arritën të zbulonin prostitucionin dhe trafikun e drogës në lokalin në Cologno al Serio.
Sigal