Prokuroria kërkon 24.6 vite burg në total për “Kapurani”-n

398
Prokuroria e Korçës kërkon dënimin total me 24.6 vjet burgim për 5 prej organizatorëve kryesorë të skemës mashtruese “Kapurani”, e cila i ka shkaktuar shtetit një dëm në vlerën e mbi 1.5 milionë dollarëve. 
Për këtë çështje vijojnë të jenë në procese gjykimi të ndara edhe 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve inspektorë tatimorë. Këta të fundit kanë lejuar veprimet e paligjshme të kryera nga kompania e materialeve inerte “Kapurani Vjara”, duke e ndihmuar këtë të fundit që t’u shmanget detyrimeve tatimore, si edhe të realizojë një skemë mashtrimi, me qëllim fshehjen e të ardhurave. 
Në qendër të kësaj skeme mashtruese qëndron i pandehuri Foto Kapurani, administrator i disa kompanive në fushën e betonit dhe hotelerisë.  Ky shtetas, së bashku me miq dhe bashkëpunëtorë të tij, kanë krijuar disa kompani, në të cilat kryenin shit-blerje fiktive betoni, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Nga hetimi i Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, ka rezultuar se shtetasi Kapurani ka shitur në mënyrë informale rreth 45 mijë ton beton, si edhe mallra të tjerë, duke iu shmangur dukshëm detyrimeve fiskale.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Korçës kërkon dënimin e autorëve të kësaj skeme për kryerjen e veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese, lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, (në bashkëpunim) si më poshtë:
1. Foto Kapurani, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim;
2. Vangjush Çerepi, i hetuar me masën “Arrest në shtëpi”, të dënohet me 6 vjet burgim;
3. Erion Berberi, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim; (t’i pezullohet dënimi dhe të vendoset në shërbim prove për 3 vjet)
4. Arjan Seferi, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim;
5. Dhimitri Metellari, i hetuar me masën “Arrest në burg”, të dënohet me 3 vjet burgim;
Procesi ndaj këtyre të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtër dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë. Ndërkohë, po vijon gjykimi për 7 të pandehurit e tjerë të kësaj skeme, si edhe për personat juridikë, kompanitë “Kapurani Vjara”, shpk; “Beçi kompani” shpk; “Kapurani trans”, shpk; dhe “Four beton” shpk. Të gjithë këto kompani janë krijuar nga i pandehuri kryesor i kësaj skeme, Foti Kapurani, i cili i ka regjistruar në emër të familjarëve apo punonjësve të tij.
Sigal