Prokuroria e Katanias mbyll hetimet për “Habilajt”

493
Prokuroria e Katanias ka zyrtarizuar sot mbylljen e hetimeve për operacionin “Rosa dei venti” i cili coi në shkatërrimin e një grupi kriminale italo-shqiptar i drejtuar nga shqiptari Moisi Habilaj.
Hetimet e operacionit “Rosa dei venti” të koordinuar nga prokurori Andrea Bonomo janë zyrtarizuar të mbylluara për të akuzuarit Moisi Habilaj, Fatmir Minaj, Maridian Sulaj, Angelo Busacca, Antonino Riela, Gianluca Passavanti, Vincenzo Spampinato, Fabio Spampinato, Antonio Greco, Giuseppe Greco, William Patane, Rosaria Giuliano. Massimiliano Maria Brundo, Carmelo Sandro Bertolini, Enrico Maria Gianquinta.
Gjatë këtyre ditëve disa prej të akuzuarve janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Katanias.
Akuza ndaj tyre është pjesëmarrje në organizim kriminal, trafik ndërkombëtar droge e trafik ndërkombëtar armësh.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet vendimi i Prokurorisë së Katanias për dërgimin e çështjes në gjykatë e cila më pas vendos datën e nisjes së procesit gjyqësor.
Ky lajm është publikuar sot dhe nga mediat lokale italiane të cilat shkruajnë se “zbulimi i këtij grupi kriminal hodhi hije të shumta ndaj aftësisë së institucioneve shqiptare për të luftuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Shkak kanë qënë sipas Prokurorisë lidhjet farefisnore të Moisi Habilaj një nga kapot drejtuese të këtij grupi kriminal, me ish minstrin e Brendshëm shqiptar Sajmri Tahiri.”
Sipas hetimeve të Policisë Financiare italiane ky grup kriminal ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë drogë e armë në vlerë 20 milionë euro.
Mungon në listën e personave të akuzuar e ndaj të cilëve janë mbyllur hetimet emri i Nezar Seitaj, i konsideruar nga hetimet si përgjegjësi llogjistik i këtij grupi kriminal Ai është ekstraduar pak ditë më parë nga Tirana drejt Italisë e zyrtarizimi i mbylljes së hetimeve ndaj tij do marrë kohën e nevojshme nga autoritetet italiane.
Një tjetër person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane është vëllai i Moisi Habilaj , Florian Habilaj.
Sigal