Prokurori i Antimafias/ Shqipëria pastron paratë e drogës që trafikohet në Itali. Ja portet e Evropës që kontrollohen nga mafia shqiptare

409
Sigal

Portet evropiane që kontrollohen nga mafia shqiptare e drogës

Policia dhe Departamenti i Drejtësisë të Holandës po diskutojnë mundësinë për rivendosjen e vizave Shengen për shqiptarët

Mënyra sesi ia dolën shqiptarët të pushtojnë tregun e kokainës në Britaninë e Madhe, por edhe atë të vendeve të tjera evropianë ka tërhequr kohët e fundit vëmendjen e disa prej gazetave më prestigjioze në botë. “The Guardian” shkruan se shqiptarët kanë bërë miqësi me mafien më të rrezikshme në botë, ndërsa gazeta të tjera thonë se bandat rritën fillimisht prezencën në pikat kyçe që përdoren për shpërndarjen e kokainës, marihuanës, por edhe heroinës. Ata filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se jo vetëm shqiptarët punojnë me ‘Ndrangheta-n, por se ata kanë formuar aleancat më të forta dhe se mafia italiane i konsideron si të barabartë. Por cilat janë rrugët që ndjekin shqiptarët për trafikimin e drogës dhe pse kanë rritur me shifra të frikshme prezencën në portet kryesore të Evropës?

Porti i Antwerpit

Dikur ky port ishte i famshëm për tregtinë e diamantit, por tani Antëerp është kryeqyteti i kokainës në Evropë, i kontrolluar kryesisht nga mafia shqiptare. Një hetimi mediave britanike zbuloi një vit më parë se kontrabandistët e sillnin drogën nga Ballkani dhe Turqia për të çuar drejt Britanisë. Kokaina e pastër vjen nga Kolumbia, por transportohet nga bandat shqiptare dhe italiane. Sipas “Mirror” ata fshehin disa ton drogë në artikujt si pllakat e mermerit dhe trarët prej druri dhe anëtarët e mafias shqiptare me bazë në Antëerp pastaj e dërgojnë atë në Britani të Madhe. Një zëdhënës i portit tregon për mediat britanike se kartelet shqiptare kanë zbuluar se porti i Antëerp mund të përdoret si një derë hyrëse për në Britaninë e Madhe. Mediat britanike shkruajnë se Antëerp kontrollohet në masë të madhe nga shqiptarët, të cilët trafikojnë drogën nga Belgjika në Southend të Anglisë, për ta shpërndarë më pas në mbarë Britaninë. Dyshimet e para lindën pas rritjes së përdorimit të kokainës në qytet. Droga arrin të hyjë dhe të dalë nga porti falë punëtorëve nga Kolumbia, Ekuadori dhe Venezuela, të cilët po e bëjnë më të vështirë që policët belgë të bien në gjurmët e kokainës, duke hequr në kohë drogën nga kontejnerët e sapo ardhur, ose i vënë vulën e sigurisë përpara se të kontrollohen. “Mafia shqiptare mund të përfitojë nga situata para se të transportojë shumicën e kokainës në Britani, ku ata kanë fitimin më të madh. Ata e marrin 50,000 euro për çdo kilogram kokainë në Britaninë Madhe, shkruan “The Mirror”. “Metoda më e rëndësishme e përdorur aktualisht nga bandat shqiptare për trafikimin e drogës është fshehja e kokainës në anijet e kontejnerëve detarë që vijnë në portet e shpërndarjes evropiane, përpara se të zhvendosen në Britani të Madhe”, shton gazeta.

Amsterdami

Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Në 2017-n, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv për një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare, duke arrestuar 7 të dyshuar. Falë një bashkëpunimi me autoritetet italiane, u vëzhguan rreth 100 të dyshuar shqiptarë, të cilët u kapën me armë zjarri, granata, dhjetëra kilogramë kokainë dhe shumë marijuanë.

Porti i Roterdamit

Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut evropian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare në Holandë trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Antëerpit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Evropën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe. Për shembull, grupi i arrestuar operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë. Anëtarët organizatave shqiptare banojnë në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime. “Fakti se Shqipëria dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian është bërë shqetësim për hetuesit, zyrën e taksave dhe bashkinë. Policia dhe Departamenti i Drejtësisë po diskutojnë mundësinë për rivendosjen e vizave Shengen për shqiptarët. Kriminelët shqiptarë martohen rregullisht me prostitutat rumune për të fituar të drejtën e qëndrimit në të gjithë Evropën Perëndimore”, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Porti i Galicias dhe Algeciras

Pas Belgjikës dhe Holandës, bandat shqiptare duket se kanë fituar terren edhe në Spanjë, sidomos në portin e Algeciras dhe Galicias, ku sasi të mëdha kokaine po hyjnë në mënyrë diskrete, për t’u shpërndarë më pas në mbarë Evropën. Algecira është bërë tanimë një nga pikat hyrëse kryesore të lëndëve narkotikëve në Evropë. “El Pais”, shkruan se në mesin e katër milionë kontejnerëve që mbërrijnë çdo vit në portin e Algeciras, mijëra janë me kokainë, kryesisht nga Kolumbia. Ato sillen në port kryesisht falë bandave shqiptare, të cilat fshehin kokainën mes bananeve ose frutave të tjera ekzotike. “Është rritur prezenca e bandave shqiptare, falë lidhjeve të drejtpërdrejta me kultivuesit kolumbianë. Ata nuk janë mafia e mirëfilltë, por janë më tepër organizata fleksible dhe dinamike, me njerëz që vijnë dhe shkojnë, dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë kapjen dhe mbikëqyrjen e tyre”, tha ai. Aleanca mes galicianëve dhe bandave shqiptare tërhoqi vëmendjen e autoriteteve, të cilat nisën verën e kaluar një hetim intensiv, duke arrestuar gjashtë shqiptare për shitjen e heroinës dhe kokainës. Ata u kapën me armë dhe miliona euro. Gjatë vëzhgimit të tyre, policia zbuloi se shqiptarët morën nga furnizuesit e tyre në portin e Valencias një dërgesë prej rreth 10 kilogram heroine. Pas marrjes së kësaj dërgese të rëndësishme, grupi filloi ta shpërndante në mesin e klientëve kryesorë, duke fituar më shumë se 200,000 euro.

Portet turke dhe greke

Porti i Vigos, Galicia

Grupet shqiptare të narkotikëve goditen thuajse çdo ditë në shtete fqinje si Greqia dhe Italia, por shumë rrallë dëgjohet që trafikantë shqiptarë të arrestohen në Turqi. Por me shpërndarjen e heroinës, bandat shqiptare duket se kanë rritur prezencën e tyre edhe në portet turke. Një rast i paprecedentë ishte ai i një gomoneje me 4 motorë që u nis nga Ksamili me marijuanë dhe synonte ta transportonte lëndën narkotike drejt Stambollit, por u ndal nga policia detare greke. Rasti i dytë i goditjes së një bande shqiptare erdhi më 29 nëntor të vitit 2017, në Detin Egje, ku bandat shqiptare u përplasën me armë me policinë greke, në operacionin ku u përfshinë edhe helikopterë të flotës helene. Por prova më konkrete e prezencës së bandave shqiptare në Turqi, do të vinte marsin e kaluar, kur u kapën më shumë se 11 shqiptarë, të cilëve iu sekuestruar 1.1 ton kanabis sativa. Droga sapo kishte mbërritur në Turqi dhe po transportohej drejt disa depove në Milas. Lënda narkotike kishte kaluar përmes rrugëve detare nga Shqipëria, pasi grupi i trafikantëve shqiptarë përdorte brigjet për të shkarkuar drogën që e transportonte me jahte. Droga e sekuestruar kapte vlerën e 5.2 milion eurove, ndërsa sipas mediave turke, baroni shqiptar i drogës, që drejtonte këtë grup të strukturuar quhet Met Kanani dhe policia zotëron prova të forta kundër tij, pasi është fotografuar në laboratorin e kanabisit. Ai u arrestua teksa mbikëqyrte ardhjen e ngarkesës përmes detit në brigjet pranë Bodrumit, ndërsa 11 shqiptarët e tjerë mbeten në paraburgim. Operacioni erdhi pasi disa media kishin ngritur alarmin se shqiptarët kontrollojnë pjesën më të madhe të trafikut të heroinës që vjen nga Afganistani në Turqi dhe më pas transportohet për në vende të ndryshme të BE-së.

Stamboll

Në një reportazh të “Vice”, tregohej rruga që bën heroina nga Afganistani për të mbërritur në Britani, ndërkohë që ish-drejtues policie në Turqi deklaronin se bandat shqiptare janë ato që kanë marrë në dorë kontrollin e tregtinë e heroinës në këtë vend. “Për vite me radhë, bosët e vërtetë të tregtinë së heroinës kanë qenë turqit që jetonin në shtete të ndryshme të Evropës, por tani janë grupet kriminale shqiptare që kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të biznesit të heroinës në Turqi” thotë ai. “Pas hyrjes në Turqi, çdo sasi heroine që nuk është zbuluar dhe konfiskuar vijon përgjatë rrugëve të ndryshme të kontrabandës në Evropën Perëndimore, përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë”, thekson “Vice”. Sikur të mos mjaftonte kjo, trafikimi i kanabisit nga Shqipëria në portet greke për t’u shpërndarë më pas vendet e tjera të Evropës arriti shifra rekord në vitet 2016-2017, periudhë në të cilën Shqipëria u kthye në burimin kryesor të furnizimit me Kanabis Sativa në Evropë. Mediat greke shkruanin se në gjashtëmujorin e parë të 2017-s, shërbimet e ndjekjes kundër drogës sekuestruan 6,8 ton kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ndërsa në 2016, sasia e drogës e ardhur po nga Shqipëria që u sekuestrua, ishte 8,4 ton.

Portet italiane

Mediat italiane kanë ngritur prej kohësh alarmin se organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali kanë rritur aktivitetin e tyre duke lidhur aleanca me grupet mafioze më të rëndësishme që veprojnë atje. Bandat shqiptare kanë shfrytëzuar afërsinë me portet italiane, sidomos atë të Barit dhe Brindisit për transportin e marijuanës, kokainës dhe heroinës drejt vendit fqinj, për ta shpërndarë më pas në pjesën tjetër të Evropës. Vlora është qyteti më i dashur nga trafikantët shqiptarë, për afërsinë e tij me bregun italian. Nga Bari, Brindisi apo Monopili, bandat shqiptare e transportojnë fillimisht drogën në qytetet e mëdha italiane, ku kanë edhe një rrjet të sofistikuar shpërndarësish. Sipas një raporti të autoriteteve Italiane, trafikantët shqiptarë kontrollonin në 2017-n trafikun e kokainës dhe marijuanës në Bari dhe gjithë zonën përreth tij.

Porti i Barit

“Shkrirja e karteleve shqiptare të drogës me mafian italiane ishte e panjohur më parë, pasi Shqipëria sillte në Itali vetëm kanabisin, por kohët e fundit grupet shqiptare kanë arritur të çojnë në Itali kokainë dhe heroinë. Ata janë bërë furnitorët ose grosistët e mafias me qendër në jug të Italisë, posaçërisht në Bari, Leçe, Potenza, Mattera. Shqiptarët furnizojmë me armë, drogë dhe eksplozivë, sepse kanë përvojë dhe lidhje me grupet serbe e malazeze, që mbahen kryesisht nga njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit”, thuhej në disa dokumente të paraqitura në senatit italian. Sipas Drejtuesit të Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, bandat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin në shumë zona të Italisë, nga Jugu deri së fundi në disa pjesë të Veriut, falë dhe lidhjeve të vendosura me grupet mafioze italiane, që nga Sacra Corona Unita, te Ndrangheta, gjë që i ka lejuar atyre të përfshihen dhe në trafikun e kokainës. Kjo gjë u bë edhe më e qartë pas arrestimit të bosit të Ndraghetas Fabio Lopez, pak pasi mori një avion nga Shqipëria në Bari, por në aeroport e prisnin agjentët. “Krimi shqiptar ka arritur një nivel të tillë zgjerimi në territor, pikërisht për shkak të aftësisë, jo vetëm për të administruar trafiqet e veta, por edhe për të lidhur aleanca me organizatat mafioze italiane, përveçse të hyjnë dhe në ekonominë e ligjshme dhe të kenë raporte me një pjesë të politikës”, u shpreh De Raho. Për kreun e antimafias italiane është e qartë se të arrish në nivele të tilla do të thotë që kriminaliteti shqiptar nuk ka hasur në pengesa të forta në territor dhe se për disa vite, struktura të caktuara që duhet ta luftojnë nuk kanë funksionuar si duhet. Edhe pse sasia e marijuanës që trafikohet drejt brigjeve italiane është ulur, autoritetet e vendit fqinj janë tanimë të alarmuar për trafikimin e drogave më të rënda që vijnë nga bregu shqiptar, si heroina dhe kokaina.

Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho: Në Shqipëri pastrohen paratë e drogës që trafikohen në Itali

Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, ka dhënë një tjetër alarm për rrezikun që i kanoset Shqipërisë. Nga Tirana prokurori i Antimafies Raho deklaroi se kriminaliteti shqiptar është specializuar në trafikun e drogës, të ardhurat e të cilëve riciklohen në Shqipëri.

De Raho: Siç dihet kriminaliteti shqiptar është specializuar në trafikun e drogës. Këtë e vërtetojnë me siguri të plotë hetime të shumta në Itali dhe në vende të tjera evropiane. Mjafton të mendojmë se të gjitha Drejtoritë e rretheve të antimafias italiane që janë duke zhvilluar hetime kundra organizatave kriminale që i janë të përfshirë në trafikun e drogës ka dhe shqiptarë. Deri në këto moment janë krijuar skuadra të shumta të përbashkëta hetimore që bashkëpunojnë në të dy brigjet e Adriatikut. Në kohët e fundit të drejtorisë së antimafias italiane kemi pasur mbledhje me magjistratë e prokurorisë për krimet e rënda dhe mbledh Trafiku i lëndëve narkotike po aq i njohur i bën të mundur organizatave kriminale të përftojnë fitime shumë të mëdha që investohet në blerje të tjera të sasive të mëdha droge dhe pjesa tjetër më e madhe riinvestohet. Prokuroritë italiane kanë një vëmendje të veçantë aspektit të riciklimit e parave të ardhura nga kriminaliteti. Eksperienca që del nga hetimet na bën të konfirmojmë se vetëm në raste të radha fitimet nga trafiku janë fshehur apo riinvestuar në Itali. Ka mundësi shumë të lartë që pastrimi i parave të ndodhë në vendin e origjinës së pjesëmarrësve të organizatës kriminale. dhe në këtë rast në Shqipëri. Tashmë shqiptarët nuk trafikojnë vetëm marijuanë, hashash, por dhe kokainë. Ka hyrë plotësisht në trafikun e kokainës, operojnë me Ndraghetën dhe nga kjo aleancë kanë përfituar një zhvillim të jashtëzakonshëm në trafikun e drogës.

Burg të izoluar për krerët e organizatave kriminale

Masat speciale të cilat hyjnë zyrtarisht në fuqi nesër, ishin pjesë e diskutimeve në një konferencë të posaçme të organizuar nga ministria e Drejtësisë me Prokurori i Antimafia të Italisë, do të ofrojë ndihmë për zbatimin e masave speciale të cilat hyjnë zyrtarisht në fuqi që parashikon që të dënuarit të mbahen në izolim dhe nën mbikqyrje të posaçme për një periudhë të caktuar kohe. Zoti De Raho theksoi se “ndalimi i kontaktet të krerëve të organizatave kriminale me njerëzit e tyre jashtë burgut dhe ndjekja e gjurmëve të parave, janë formula më efikase për të luftuar kriminalitetin. Që të dyja këto masa janë thelbësore për Shqipërinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se grupet shqiptare janë specializuar në trafikun e drogës, duke siguruar sasi të mëdha parashë që sipas të gjitha studimeve theksoi ai, riinvestohen kryesisht në vendet e origjinës.

Ambasadori i BE në Tiranë: Konfiskoni pasuritë e paligjshme të trafikantëve të drogës

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian, Luigi Sorerca u bëri thirrje autoriteteve shtetërore të Shqipërisë që të konfiskojnë pasuritë e paligjshme të trafikantëve të drogës. Ambasadori i BE: Konfiskimi i pasurive të paligjshme është i rëndësishëm në parandalimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.